Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në bashkëpunim me Fondacionin Heinrich Böll, si pjesë e bashkëpunimit për trajtimin e sfidave kryesore në konsolidimin e shtetit të Kosovës lansuan sot punimin “Zanafilla plus dhjetë: Rishikim i dekadës së parë të shtetësisë së Kosovës”.
Pjesëmarrës në lansimin e punimit ishin përfaqësues të partive politike, zyrtarë të lartë institucional, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe akterë tjerë të rëndësishëm. Ndërsa, pjesë e panelit të sotëm ishin Gersi Gashi, hulumtues i politikave në D4D, Simon Ilse, kreu i HBF, zyra rajonale në Serbi, Mal të Zi, Kosovë (HBF), Nita Luci, profesoreshë, Universiteti i Prishtinës (UP), Naim Rashiti, drejtor ekzekutiv, Grupi për Ballkan (BPRG), si dhe Bekim Baliqi, profesor, Universiteti i Prishtinës (UP).
Qëllimi i punimit është rishikimi i dekadës së parë si shtet i pavarur dhe të jetë si udhërrëfyes për reformat demokratike drejt konsolidimit si shtet. Gersi Gashi, Hulumtues i politikave nga Instituti D4D, theksoi se ky hulumtim i ndarë në katër kapituj, përpiqet të ofrojë një vlerësim kritik të informuar për dekadën e parë të shtetësisë së Kosovës që mbulon domenin institucional, të pushtetit, si dhe atë diskursiv. Punimi tregon që problemet kryesore të qytetarëve të Kosovës, edhe pas 10 vjetësh pavarësi, vazhdojnë të jenë papunësia dhe korrupsioni. Për më tepër, hulumtimi pasqyron se 62% e qytetarëve të Kosovës nuk kanë provuar të ndikojnë dhe nuk mendojnë që mund të ndikojnë në politikëbërje apo në proceset e vendimmarrjes, ku në lidhje me këtë shifër edhe akterët kyçë u pajtuan që duhet bërë më shumë punë në adresimin e sfidave, ashtu edhe në gjetjen e mekanizmave në mënyrë që të zvogëlohet kjo përqindje e madhe në numër.
Diskutimi u përqendrua edhe në anketën e cila paraqitet në fund të punimit, me ç’rast Bekim Baliqi, profesor i Universitetit të Prishtinës, specifikoi se në brendinë e punimit ekziston një shpërputhje e qartë në mes të asaj se cilat janë qëllimet e politikëbërësve në Kosovë, në raport me nevojat e qytetarëve të vendit.
Vëmendjen e tërhoqën edhe temat si pikënisja dhe përfundimi i procesit të tranzicionit për Kosovën, e madje edhe mungesa e kapaciteteve politike që ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e deritanishëm ekonomik dhe politik të Kosovës, tema këto të nxjerra në pah nga Nita Luci, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, si dhe Naim Rashiti, drejtor ekzekutiv, Grupi për Ballkan (BPRG).
Në fund të diskutimit, Simon Ilse, nga Fondacioni Heinrich Böll, tha se është e nevojshme të ketë mobilitet të shoqërisë, ashtu edhe të partive politike në mënyrë që të ketë transformim dhe konsolidim të mirëfilltë të shtetit.