Demi: Ajri i ndotur mbyt një qytetar çdo 10 orë në Kosovë

Agron Demi, analist politikash në institutin GAP, ka nxjerrë disa statistika shqetësuese në lidhje me vdekshmërinë e qytetarëve të Kosovës nga ajri i ndotur.

Duke u bazuar në një raport të Bankës Botërore për vdekjet në Kosovë si pasojë e ajrit të ndotur, Demi thotë se kjo vdekshmëri, zbërthyer në orë, i bie që çdo 10 orë vdes nga një qytetar nga ajri i pashëndetshëm.

“Në Kosovë: çdo një orë e gjysmë regjistrohet një rast në spital si pasojë e sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit; çdo 10 orë vdes një qytetar nga ndotja e ajrit; 432 mijë euro është kostoja ditore e dëmeve nga ajri i ndotur”, ka shkruar Demi në Facebook, raporton Koha.net.

Reklama e sponzorizuar

Këto të dhëna, thotë Demi, janë nxjerrë nga një raport i Bankës Botërore, ndërsa potencon se Instituti i Shëndetit Publik bën thirrje që fëmijët të mbahen mbyllur dhe as dritaret të mos hapen.

Tutje, ai thotë se vajza e tij, sikurse edhe mijëra fëmijë tjerë, ka kohë që dritën e shohin vetëm përmes dritareve, pa e shijuar ambientin e jashtëm.

“E në ndërkohë, deputetët kanë në agjendë që të aprovojnë ligjin i cili lejon importin e veturave që në Evropë shiten për hekur, Ministria e Mjedisit bën hajgare kinse s’po dihen shkaktarët e ndotjes e duhet të pritet një studim kah mesi i 2019, Qeveria sfidë kryesore e ka si t’i sigurojë paratë për të ndërtuar edhe një termocentral që na zgjatë ndotjen edhe për nja 40 vjet, e Komuna e Prishtinës ka katër vjet që s’po mundet ta zbatojë një plan mobiliteti për transportin publik në Kryeqytet”.

E në fund, ai ironizon. “Por ama, temë kryesore sot është Burdushi”.