KOSTT u blen dhurata për doktoraturë punëtorëve (Dokument)

Ndërmarrjet publike në Kosovë deri më tani kanë qenë të njohura kryesisht për shpenzime enorme në bonuse për stafin dhe paga të majme të menaxhmentit të ndërmarrjes.

Por një ndërmarrje publike është përfshirë në një rast të pazakontë të shpenzimit të parasë publike, shkruan Buletini Ekonomik.

Fjala është për Operatorin e Sistemit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), e cila ka shpallë tender për blerje të dhuratave me rastin e kryerjes së doktoraturës të dy punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Reklama e sponzorizuar

“Titulli i kontratës i dhënë nga autoriteti kontraktues: Dhurata për Doktoraturë të dy punëtorëve të KOSTT-it”, thuhet në dosjen e tenderit të publikuar nga KRPP.

Në dosjen e tenderit thuhet se fjala është për dy dhurata që kanë kushtuar 160 euro.

Kompania “Talens” është shpallur fituese dhe do ta bëjë furnizimin me dhurata. Nuk dihet se për cfarë dhurata bëhet fjalë.

Ndryshe, KOSTT është kompani publike me 100 për qind të aksioneve shtetërore. Sipas Ligjit për energjinë elektrike nr.05/L-085 të miratuar në vitin 2016, të drejtat e aksionarit ushtrohen përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës.

KOSTT menaxhon Sistemin e Transmisionit të Republikës së Kosovës duke operuar me nivele të tensionit të lartë 400 kV, 220 kV dhe 110 kV. Përgjegjësi e KOSTT është që në mënyrë të sigurt dhe të besueshme të transmetojë energjinë elektrike nga njësitë e gjenerimit deri te sistemi i shpërndarjes, 24 orë në ditë, 365 ditë në vit. /Buletini Ekonomik/