Ministri serb i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimit, Rasim Ljajiq ka bërë thirrje për reagimin e Komisionit Evropian pas vendimit të Kosovës për rritje të taksës ndaj mallrave të importuara nga Serbia.
Zëvendëskryeministri serb, Rasim Ljajiq, njëherit edhe ministër i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimit ka thënë se Beogradi pret që Komisioni Evropian t’i vendos nën presion institucionet e Prishtinës për ndërprerjen e taksës prej 10 për qind në mallrat e importuara nga Serbia.
Ai ka shtuar se alternativë ndaj kësaj është largimi i Kosovës nga marrëveshja e CEFTA-s.
“Nuk mund të uleni në një tavolinë ku vlejnë rregulla të njëjta me partnerët e tjerë, dhe për ju të ketë rregulla të veçanta. Madje edhe shtetet të cilat janë në luftë mes vete nuk i shkelin rregullat në masa kaq drastike”, deklaroi Ljajiq për mediat serbe, transmeton lajmi.net.
“Nëse Komisioni Evropian urgjentisht nuk reagon, atëherë mendoj se marrëveshja CEFTA dhe e gjithë ajo që kemi bërë në formimin e hapësirës së përbashkët ekonomike do të bie në ujë”, shtoi ai.
Ljajiq ka thënë se Beogradi nuk mund ta rrisë taksën në mënyrë të ngjashme meqë ka pak mallra të blera nga Kosova.
“Do të ishte e pakuptimtë që të kemi qëllime të tilla, përveç kësaj ne pak a shumë bëjmë blerje nga prodhuesit serb që jetojnë në Kosovë”, theksoi Ljajiq.