Maqedonia dhe Mali i Zi nuk e përkrahen anëtarësimin e Kosovës në rrjetin e operatorëve të sistemeve të transmisionit të energjisë elektrike për vendet e BE’së, i njohur si ENTSO, që u mbajt këtë javë. Dy shtetet fqinje abstenuan në votimin për anëtarësimin e Kosovës (KOSTT) në ENTSO.
Ndërkohë, pranimi i Kosovës në këtë rrjet do të nënkuptonte pavarësim formal e real të sistemit energjetik të Kosovës nga ai i Serbisë.
Në mungesë të pranimit të Kosovës në ENTSO, shteti i Kosovës humbë rreth 10 milionë euro në vit për shkak të mosinkasimit të mjeteve për tranzitin e energjisë elektrike nëpër rrjetin e KOSTT. Këto mjete në emër të Kosovës i merr Serbia.
Kjo pavarësisht faktit se mes Kosovës dhe Serbisë ka një marrëveshje për energjinë, të nënshkruar në vitin 2013 ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
E njëjta marrëveshje ishte konfirmuar edhe më pas nga të dy kryeministrat, i Kosovës dhe ai Serbisë, në gusht të vitit 2015, kur kishin rinegociuar dhe ishin dakorduar për zbatimin e saj.
“Operatori i Sistemit të Serbisë (“Elektro Mreza Srbije”- EMS) vazhdon që të mbledhë të hyrat e alokimit të kapaciteteve për linjat kufitare të Kosovës me shtetet fqinje. Vetëm nga janari e deri në tetor të këtij viti (2017), vlerësohet që operatori serb EMS, ka përfituar nga alokimi i kapaciteteve të linjave kufitare të Kosovës me shtetet fqinje dhe nga kongjestionet, mbi 9.5 milionë euro. Për çdo vit ka përfitime nga të hyrat nga alokimi i kapaciteteve”, thuhet në një pë rgjigje të më hershme pë r media nga KOSTT.
Edhe në marrëveshjen e vitit 2013, thuhet se nëse nuk do të jetë e mundur të arrihet një zgjidhje e përbashkët brenda 6 muajve, të dyja palët bien dakord t’i paraqesin këto pretendime para arbitrazhit ndërkombëtar.
Ndryshe, gjatë negociatave Kosovë – Serbi është përcaktuar që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Serbisë ( EMS) të fillojnë operimin si dy zona rregulluese të pavarura në përputhje me kërkesat e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike.
Po ashtu, ishte nënshkruar edhe Marrëveshja për Kyçje të Sistemit Energjetik të Kosovës në Zonën Sinkrone të Evropës Kontinentale. Në bazë kësaj marrëveshjeje, thuhet se pavarësimi i KOSTT-it lejohet pas krijimit të një kompanie të re, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizojë me energji elektrike konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe, dhe do të jetë në gjendje të blejë dhe të shesë energji në tregun e hapur. /Buletini Ekonomik/