Mbledhja e përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë do të mbahet sot në Pejë, në të cilën priten të nënshkruhen 12 marrëveshje ndërshtetërore
Hapjen e mbledhjes do ta bëjnë shefat e qeverive, Ramush Haradinaj dhe Edi Rama, ku fillimisht do të bëhet informimi i kabineteve lidhur me vendosjen e pikës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit.
Pikë e tretë e rendit të ditës do të jetë informimi i kabineteve për objektivat e përbashkëta për themelimin e Dhomës Ekonomike Bilaterale Kosovë – Shqipëri, do të nënshkruhet marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimeve roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet ministrive përgjegjëse për fushën e komunikimeve elektronike të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, do të nënshkruhet protokolli për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë – Vërmicë në mes të Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovë dhe Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë së Republikës së Shqipërisë.
Po ashtu gjatë kësaj mbledhjeje, e cila do të nisë sot në orën 10:30, do të nënshkruhet marrëveshja për bashkëpunim në fushën e borxhit publik, të financimeve të huaja dhe marrëdhëniet me institucionet financiare ndërkombëtare, do të bëhet nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për Pronësinë Industriale të Republikës së Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale të Republikës së Shqipërisë, do të nënshkruhet protokolli ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës për njohjen bilaterale dhe për unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore, veterinare dhe fitosanitare që do të shoqërojnë ngarkesat e kafshëve të gjalla, të produkteve me origjinë shtazore e produkteve bimore gjatë importit, eksportit dhe transitit midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, shkruan Zeri.
Do të nënshkruhet marrëveshja për bashkëpunim në fushën e rinisë, për nxitjen e biznesit dhe të informimit të diasporës, për njohjen reciproke të patentave të shoferëve. Pika e fundit e rendit të ditës do të jetë nënshkrimi i projektmarrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, ndërmjet Ministrisë Shëndetësisë dhe të Mbrojtës Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe të Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës.