Qeveria ndan mes vete me përqindje pozitat në Telekom

Posta dhe Telekomi i Kosovës

Qeveria e Kosovës, në bazë të përqindjes që ka në institucione, ka ndarë edhe pozitat brenda Telekomit të Kosovës, raporton KTV.

Bashkëshortja e deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, Shehide Qerimi-Lushtaku, tashmë është përzgjedhur ta ushtrojë pozitën e zyrtares së Auditimit të Brendshëm. Pozita e zyrtarit kryesor të financave është rezervuar për një njeri të afërt me AAK-në dhe aty është përzgjedhur drejtori i Sinalcos, Armend Osaj. Shekip Fazliu, që është zyrtar i Nismës Social-Demokrate, është përzgjedhur për sekretar te korporatës.

Telekomi vazhdon të jetë joshës për partitë politike.

Reklama e sponzorizuar

Tri partitë e mëdha në pushtet po i ndajnë hiset e pozitave brenda ndërmarrjes, e cila ishte më fitimprurësja në vend, e tash është në prag të falimentimit.

Tri pozitat më të larta në ndërmarrje pas kryeshefit, janë ndarë mes AAK-së, Nismës dhe PDK-së.

Kohavisioni ka parë disa e-maila që kanë konfirmuar një gjë të tillë, derisa përzgjedhja ka ardhur nga ana e Bordit të Telekomit, që udhëhiqet nga bashkëshortja e deputetit të AAK-së, Bekë Berisha.

Bashkëshortja e deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, Shehide Qerimi-Lushtaku, tashmë është punësuar në Telekom. Ajo, që nga ky muaj, është përzgjedhur ta ushtrojë pozitën e zyrtares së Auditimit të Brendshëm.

Në krye të komisionit për përzgjedhjen e Shehide Qerimi-Lushtakut ka qenë Sead Ujkani, një mik i Mërgim Lushtakut dhe vëllait të Shehides, Gëzim Qerimi.

Dhe, bazuar në konkursin e brendshëm, Qerimi-Lushtaku do të jetë përgjegjëse për vlerësimin e përshtatshmërisë ligjore dhe efektivitetin e kontrolleve të brendshme në përputhje me planin vjetor të auditimit derisa do t’i raportojë Komisionit të Auditimit dhe Bordit të Drejtorëve.

Pozita e zyrtarit kryesor të financave dhe thesarit është rezervuar për njerëzit e afërt me AAK-në.

Drejtori i Sinalcos, Armend Osaj, është përzgjedhur për këtë pozitë.

Përfaqësues i Sinalcos për Kosovën është deputet i AAK-së, Gani Dreshaj.

Osaj do të jetë përgjegjës për menaxhimin e përgjithshëm te financave dhe thesarit në Telekom.

E, për sekretar të korporatës apo këshilltar të përgjithshëm, është emëruar Shekip Fazliu.

Në një kërkim të thjeshtë në internet, shihet se Shekip Fazliu është zyrtar i Nismës Social-Demokrate.

Në Telekom, Fazliu i Nismës do të përkujdeset për ligjshmërinë e fushëveprimit të Bordit të Drejtorëve dhe është përgjegjës për menaxhimin e çështjeve administrative të Bordit. /Koha/