Rritet çmimi i bukës, drithërave e perimeve

Çmimet e konsumit në muajin tetor shënuan ngritje prej 0.2 për qind krahasuar me muajin paraprak, për shkak të shtrenjtimit të bukës, drithërave, perimeve dhe veshjeve me një ndikim të përbashkët prej 0.4 për qind në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK).

Kjo është bërë e ditur në raportin më të ri të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për muajin tetor të vitit 2018.

ASK thotë se shkalla vjetore e inflacionit ishte 1.5 për qind dhe IHÇK është më i lartë për 1.5 për qind në muajin tetor 2018 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Reklama e sponzorizuar

Kjo, kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në bukë dhe drithëra me 1.2 për qind, perime me 10.7 për qind, pije alkoolike me 3.6 për qind, duhan me 2.8 për qind përdorim i pajisjeve për transportin personal me 11.4 për qind, shërbimet për transport me 5.8 për qind, shërbime hoteliere me 2.6 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2.2 për qind në IHÇK.

Ndërkaq, ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit në pemë me 11.7 për qind, sheqer dhe ëmbëlsira me 7 për qind, ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perime me 1.1 për qind, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera me 6.3 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.7 për qind në IHÇK.