Derisa për çdo vit nga Kosova largohen rreth 10 mijë qytetarë, nga të huajt vendi më i varfër në rajon po konsiderohet si një strehë e sigurt. Lufta në vendet e tyre i ka detyruar ata që t’ia mësyjnë Kosovës. Vetëm këtë vit kanë kërkuar azil mbi 400 të huaj, shifër kjo që për pesë vitet e fundit arrin në 1 mijë. Aktualisht, në tërë me status të azilantit janë 107 të huaj, shumica e të cilëve vijnë nga Afganistani e Siria, shkruan Gazeta Express.
Vendi më i varfër në rajon është kthyer në “strehë” për shumë prej të huajve. Rreth 100 të huaj ia mësyjnë Kosovës për çdo vit për të kërkuar azil. Por, këtë vit numri i tyre është rritur edhe më shumë.
Prej 147 të huajve sa kishin kërkuar azil në 2017’ën, numri i tyre këtë vit ka arritur në mbi 400 azilkërkues.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë treguar për Gazetën Express, se vetëm këtë vit në vend janë regjistruar 425 azilkërkues. Derisa deklarojnë se numri i azilkërkuesve në pesë vitet e fundit shkon në më shumë se 1 mijë.
“Në pesë vitet e fundit, azil në Kosovë kanë kërkuar 1 mijë e 116 persona”.
Sipas statistikave të MPB’së, vitet kur në Kosovë ka pasur më së shumti azilkërkues po del të ketë qenë viti që po lëmë pas dhe 2013’ta. Vetëm në këto dy vite, azil në vend kanë kërkuar rreth 700 persona.
Ndërkohë, aktualisht në Kosovë janë azil 107 persona, shumica e të cilëve vijnë nga Siria e Afganistani. E arsyeja kryesore që i ka shtyrë këta të huaj që t’i drejtohen vendit më të varfër në rajon po del të ketë qenë lufta në vendet e tyre, por jo vetëm.
“Arsyet e tyre janë të ndryshme. P.sh njëra nga arsyet me të shpeshta është; ‘’për shkak të luftës në venin e tyre’’. Por, ka edhe arsye tjera si; ‘’për shkak të bindjeve politike, përkatësisë etnike”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme drejtuar Gazetës Express.
E derisa shumë të huaj po e zgjedhin Kosovën që të jetojnë, kosovarët po e braktisin.
Për çdo vit nga vendi më i varfër në rajon largohen afër 10 mijë banorë. Por, vitin e kaluar kjo shifër është rritur edhe më shumë.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të përmbledhura në raportin “Vlerësimi i popullsisë 2017”, numri i atyre që e kanë lëshuar Kosovën gjatë vitit të kaluar është 11 mijë e 263 persona, shkruan Gazeta Express
“Emigrimi ndërkombëtar: numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2017 është vlerësuar të jetë gjithsej 11,263 banorë përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë”, thotë raporti i ASK-së.
Pjesa më e madhe e atyre që u larguan nga Kosova për vitin 2017, ishin emigrantë legal. Ndërsa arsyeja e emigrimit ishte kryesisht për shkak të bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi pune, shpërngulje të përhershme (kryesisht në shtetet fqinjë), ose për studime afatgjata me punësim.
Po ashtu, gjatë vitit 2017 një numër i konsiderueshëm emigruan dukë kërkuar azil (aplikuesit për herë të parë) në vendet e BE-së përfshirë vendet e Asociacionit të Tregtisë së Lirë të Evropës (EFTA)-ës.
Përveç vendeve të BE-së dhe EFTA-së një numër i kosovarëve kishte emigruar edhe në vende të tjera kryesisht në SHBA, Kanada dhe vende tjera.
Ndryshe, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe bazuar edhe nga të dhënat që janë siguruar nga vendet e BE-së, tregojnë se numri i shtetasve kosovarë, të cilët janë zënë me qëndrim të paligjshëm brenda territorit të shteteve anëtare të BE-së dhe zonës Shengen në vitin 2016 ishte 11,370 persona.
Kjo tregon një rënie të dukshme të numrit në krahasim me vitet e shkuara sidomos me vitin 2015 që ishte 52,310 persona. Ndërsa vendi ku numri më i madh i kosovarëve janë zënë duke qëndruar jashtligjshëm është Gjermania.