Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i tha TV Hepi të Beogradit se Serbia nuk do të vazhdojë dialogun me Kosovën derisa ajo të mos shfuqizojë taksën 10 për qind për produktet nga Serbia. Sipas tij, përmes kësaj takse Kosova çdo ditë merr nga Serbia nga një milion euro, transmeton Koha.net raportimin e agjencisë serbe të lajmeve, FoNet.
Po ashtu, siç është shprehur Vuçiq, “shqiptarët e Kosovës po e formojnë ushtrinë, por askush nuk po pyet se kundër kujt do të jetë ajo ushtri”.
Haradinaj ka paralajmëruar njësi të madhe, ngjashëm me regjimentin, për në veri të Kosovës. I kam lutur serbët të braktisin Ushtrinë e Kosovës, sepse ata serbë një ditë do të mund të përdoreshin nga Haradinaj që të shtinë në serbët, ka thënë Vuçiq.
Deshën t’ia rrëmbenin Serbisë rrjetin transmetues (të energjisë – plotësim ynë), por nuk ia dolën, deshën edhe t’ia ndërprisnin rrymën veriut të Kosovës, ndërsa Perëndimi çdo ditë dërgon njerëz që kërkojnë prej nesh të vazhdomë dialogun, pavarësisht nga ajo se Prishtina nuk tërheq masat.
Duhet të respektojnë marrëveshjet që i kanë nënshkruar, ka thënë Vuçiq, ndërsa ka shtuar se “Serbia po e forcon ushtrinë e vet, por vetëm si faktor parandalues”, transmeton Koha.net.