Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me këshilltarin e tij të jashtëm, i cili vjen nga Zvicra, Pierre Kohler dhe këshilltarin e Këshillit Ndërministror për Ujëra Baton Begolli kanë pritur në takim ambasadorin e Zvicrës, Jean-Hubert Lebet, ku biseduan për sfidat e sektorit të ujërave dhe shkëmbimin e ideve për ndërmarrjen e iniciativave të ndryshme në përmirësimin e sektorit të ujit në vendin tonë.
Matoshi prezantoi para ambasadorit zviceran sfidat dhe projektet që MMPH po implementon në përmirësimin e ujërave, në ndërtimin e rezervave të reja ujore, rregullimin e shtretërve të lumenjve, ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, etj.
Nga ana tjetër, Ambasadori Lebet informoi Matoshin që Zvicra do të fillojë një program 12 vjeçar me vlerë prej 20 milionë franga zvicerane për menaxhimin e integruar të resurseve ujore në Kosovë.
Temë tjetër e takimit ishte mbarëvajtja e takimit të fundit të Këshillit Ndërministror për Ujërat ku Ministri shprehi interes që përkrahja ndaj Ministrisë në veçanti të jetë më e madhe për të përballuar sfidat e sektorit. Ambasadori Lebet shprehi vlerësimin e tij se tani ka një partner të përkushtuar në Ministri dhe vlerësoi gatishmërinë e Ministrit në veçanti dhe kabinetit të tij për bashkëpunim.