60 për qind e shqiptarëve do të braktisnin Shqipërinë po të kishin mundësi

Sipas kompanisë së sondazheve, Gallup, 60 për qind e shqiptarëve do të braktisnin përfundimisht Shqipërinë nëse do të kishin mundësi.

Një sondazh i fundit e ka nxjerrë Shqipërinë në vendin e katërt në botë me prirjen më të lartë për emigracion. Më keq se Shqipëria gjenden dy vende afrikane, Sierre Leone dhe Liberia, si dhe Haiti. Këto tri vende përballen me varfëri të madhe, ku niveli i varfërisë luhatet prej 54 deri 70 për qind.

E shprehur në numër popullsie, kjo do të thotë se nga 2.87 milionë banorë që ka aktualisht Shqipëria, 1.7 milionë duan të ikin jashtë. Kjo është një prirje për emigrim më e lartë edhe se ajo e vendeve të përfshira në luftëra civile dhe shkaku kryesor, sipas qytetarëve, është ekonomia, por edhe mungesa e shërbimeve publike.

Reklama e sponzorizuar

Që prej rënies së komunizmit shqiptarët kanë braktisur në masë atdheun. Por, prirja për emigracion vazhdon të jetë njësoj e fortë edhe tre dekada më pas. Ky është një fenomen i cili kërcënon të ardhmen e ekonomisë duke shqetësuar edhe institucionet ndërkombëtare.

Në misionin e fundit në Tiranë, Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se Shqipëria ka nevojë për rritje më të lartë ekonomike dhe investime në sektorët prioritarë si arsimi dhe shëndetësia për të zbutur prirjen e popullsisë për të emigruar.