Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Banka Botërore kanë prezentuar sot aktivitetet e para të Projektit per Konkurrueshmëri dhe Gatishmëri për Eksport, që zbatohet nga Ministria dhe që financohet me kredi të butë nga Banka Botërore.
Me këtë rast, Menaxheri i sektorit të Financave, Konkurrueshmërisë dhe Inovacionit në Grupin e Bankës Botërore, Mario Guadamillas, tha se një ndër kufizimet më të mëdha për investime është regjimi i inspektimit të bizneseve.
“Kosova e ka numrin më të madh të inspektimeve nga të gjitha vendet fqinje. Ato paraqesin një barrë të konsiderueshme rregullatore dhe të përmbushjes së kushteve për bizneset. Ne e mbështesim këtë reformë përmes dy projekteve të Grupit të Bankës Botërore: Projekti Këshillimor i IFC-së i titulluar Investimi për Klimën, dhe Projekti i Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport i Bankës Botërore”, ka thwnw ai.
Qeveria e ka nisur reformën dhe e ka miratuar Koncept Dokumentin për Inspektime dhe së fundi e ka themeluar Forcën Vepruese të udhëhequr nga Koordinatori Kombëtar për Reformat Shtetërore dhe nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
“Jemi të kënaqur me mënyrën se si po zhvillohet ky proces dhe dëshirojmë ta falënderojmë dhe ta inkurajojmë Ministrin dhe Koordinatorin Kombëtar që të vazhdojë me të njëjtën dinamikë. Si rrjedhojë, marrë parasysh tregun e vogël vendor të Kosovës, rritja e konkurrencës së eksportit është çështje esenciale për rritje ekonomike dhe për krijimin e vendeve të punës në Kosovë. Eksportet pengohen dukshëm nga mungesa e qasjes në certifikimin e produkteve dhe të shërbimeve përkatëse me çmime të përballueshme për shkak të mosnjohjes së këtyre dokumenteve të cilësisë të lëshuara në Kosovë. Në këtë kontekst Projekti i Konkurreshmërisë synon që ta mbështesë rritjen e disponueshmërisë së infrastrukturës cilësore e cila është e njohur ndërkombëtarisht dhe forcimin e kapacitetit të bizneseve për t’i përmirësuar produktet dhe për të qenë në gjendje që të eksportojnë”. /Buletini Ekonomik/