Për 100 ditë qeverisje kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i ka marrë 250 vendime. Por ai që do të mbahet në mend gjatë, padyshim, është vendimi i fundit me të cilin kryeministri ia dyfishoi pagën vetes dhe vartësve të tij.
Megjithatë ky nuk është i vetmi, që u kritikua ashpër. Haradinaj, para kësaj, kishte marrë një seri vendimesh kontradiktore. Siç është ai për faljen e borxheve ambalazhuesve të ujit, ndarjen e mjeteve financiare për familjet e të vrarëve në Kumanovë si dhe ai për shpronësimin e banorëve në Hade, pa i kryer prokuroria hetimet.
Ajo që bie në sy është së shumica e këtyre vendimeve është në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Vendimi për faljen e 60 milionë eurove ambalazhuesve të ujit
Punën si kryeministër Haradinaj e nisi me vendimin për faljen e borxheve prej 60 milionë eurove ambalazhuesve të ujit. Ky vendim u kritikua ashpër nga shoqëria civile dhe njohësit e ekonomisë.
Për me tepër vendimi ishte i jashtëligjshëm, pasi borxhe mund të fal vetëm Kuvendi i Kosovës.
Vendimi për pagat i jashtëligjshëm
Edhe vendimi i fundit për rritjen e pagave të kryeministrit dhe disa prej vartësve të tij doli se është i kundërligjshëm.
Kryeministri e dyfishoi rrogën e vet. Nga 1300 euro paga e Haradinajt do të jetë 2950 euro.
Por me ligj kryeministri nuk guxon ta ketë pagën më të madhe se kryetari i Gjykatës Supreme.
Dyfishim të pagave pati edhe për zëvendësministrat, stafin politik të kryeministrit e disa zyrtarë tjerë. /Buletini Ekonomik/