Për shkak të kohës jo të përshtatshme, që shkaktoi dëme të mëdha te gruri, sipas përfaqësuesve të bujqve, Kosova sivjet do të përballet me rendimentin më të ulët të grurit që nga paslufta, përcjell Buletini Ekonomik.
Tahir Tahiri, Kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, ka thënë se sivjet rendimenti do të jetë vetëm 2500 kilogram për hektarë, që është sasia më e ulët e prodhuar që nga paslufta.
Sipas tij, shkaktarë përveç lagështisë së stërzgjatur në pranverë e cila bëri dëme të mëdha te gruri, ishin edhe farërat, plehrat dhe pesticidet e kualitetit të dobët që ndikuan në uljen e rendimentit.
“Dhe në mungesë të prodhimit vendor të grurit, mullinjtë tanë i mbushën hambarët e tyre me 80 % të sasisë së grurit nga importi dhe atë kryekëput nga Serbia”, vlerëson Tahiri, duke e cilësuar gjendjen si alarmante, meqë me këtë trend, sipas tij, Kosova vitin e ardhshëm do të detyrohet të importoj grurë në masën 90 për qind. /Buletini Ekonomik/