Hahn: Vizat besoj se hiqen më 2020, por mos u bëni peng i datave

Komisionari evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, ka thënë se BE-ja ka qenë e befasuar dhe e zhgënjyer me ngritjen e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë, ndërsa sa i përket vizave kërkoi më tepër durim nga qytetarët e Kosovës, pasi, sipas tij, kjo çështje do të marrë kohë edhe për disa muaj.

Ai në një konferencë për media në Prishtinë, tha se të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë evropiane dhe një ndër kriteret është që duhet zgjidhur problemet reciproke dhe duhet fokusuar në dialogun me Serbinë, si dhe të ndërmerren reformat e nevojshme për integrim në Evropë.

“Po punojmë për largimin e barrierave tregtare. Kosova ka bërë shumë për të kontribuar në gjithë këtë. Ka punuar në shumë fusha dhe çështje në Zonën ekonomike rajonale dhe në CEFTA”, tha ai, raporton Ksp.

Reklama e sponzorizuar

Hahn ka folur edhe për taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

“Të gjithë kemi qenë të befasuar dhe të zhgënjyer kur u vendosën tarifat doganore ndaj Serbisë dhe kjo nuk duhet të mbetet në fuqi, por të fokusohemi në fushat e lartpërmendur dhe në BE jemi në dijeni për vështirësitë aktuale në tregti dhe në të gjitha takimet e mia kam propozuar që të fokusohemi në zgjidhjen e çdo gjëje që kanë të bëjë me tregtinë ndërmjet dy vendeve”, tha Hahn.

Ai foli për liberalizimin e vizave për Kosovën duke thënë se merr kohë të miratohen të gjitha dispozitat ligjore dhe kërkoi nga kosovarët të kenë durim edhe për disa muaj që të merret pëlqimi nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Puna është kryer nga Kosova dhe ishte radha jonë të implementojmë dhe kjo ka nisur me raportin dhe është marrë Parlamenti, i cili ka vendosur me një shumicë. Tash çështja ndodhet në Këshillin Evropian, i cili merr më së shumti kohë për ta kaluar këtë hap të procesit dhe kam besim dhe se viti 2020 është më realisti, por mos u bëni peng i numrave”, porositi Hahn.