Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka rekomanduar si fituese për tenderin e sigurimit të objektit një kompani e cila nuk ka prezantuar në këtë institucion se mund t’i paguajë punëtorët konform rrogës minimale të përcaktuar në Kosovë.
Çmimi minimalisht i ulët i kësaj kompanie që ka ofertuar për këtë tender dyshohet se mund ta detyrojë këtë kompani që t’i paguajë punëtorët shumë më pak se paga minimale, shkruan sot Koha Ditore.
Në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit thuhet se edhe pse ky organ ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të sigurohen nëse oferta është e mjaftueshme edhe për t’u paguar pagat punëtorëve, ky institucion nuk e ka bërë një gjë të tillë.
“Prokuroria e Shtetit me rastin e rivlerësimit të ofertave nuk e ka respektuar në tërësi vendimin paraprak të Organit Shqyrtues të Prokurimit të datës 12 shtator 2018, ku në faqen 5 të këtij vendimi Paneli Shqyrtues ka konstatuar se Autoriteti Kontraktues me rastin e rivlerësimit të ofertave duhet ta vërtetojë saktë se operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë a mund t’i përmbushë të gjitha obligimet me çmimet e ofruara, si dhe të vërtetojë dhe të kalkulojë se a mundet t’i paguajë punëtorët me çmimet e ofruara”, thuhet në vendim.
Sipas OSHP-së, Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të mbledhë prova që garanton se një kontratë e tillë me një çmim të tillë mund të zbatohet.