Dy javë më parë, për dy ditë rresht ishte diskutuar në lexim të parë, por nuk është hedhur në votim Projektligji për Bxhetin, ku ka pasur vërejtje nga partitë opozitare, të cilët e kanë quajtur buxhet jo zhvillimor dhe buxhet për skema sociale.
Për mos votim të buxhetit, qëndrim të njëjtë kanë ende Lidhja Demokratike dhe Vetëvendosje. Mirëpo partia tjetër në opozitë PSD nuk ka komentuar nëse do ta votojë ose jo, apo do t’ua bëjë kuorumin pozitës në rast se hidhet në votim projektbuxheti.
Por zyrtarë nga Ministria e Financave dhe deputetë të pozitës, presin që ky projektligj për Buxhetin të votohet para Vitit të Ri.
Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, ka thënë për Kosovapress se projekt buxheti për vitin 2019, ndodhet në Kuvendin e Kosovës ku edhe pritet të miratohet së shpejti.
“Ndërsa sa i përket çështjes se a paraqet problem mos miratimi i buxhetit, është akoma herët të diskutohet sepse deri në fund të këtij muaji ka kohë për tu miratuar në dy leximet”, thotë Shahini.
Por, i prerë rreth kësaj çështje është treguar anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani nga LDK, i cili thotë se kjo parti nuk do ta votojë nuk beson se do të votohet buxheti në këtë muaj.
“Kam dyshime që mund të përfundojë këtë vit buxheti, kam dyshime se mund të sigurojë pozita votat e duhura. Lidhja Demokratike është shprehur qartë se këtë buxhet nuk do ta votojë, arsyet janë dhënë në seancën e kaluar, të argumentuara që kanë kuptim dhe mendoj që pozita ka rënë në hall të madh se si t’ia bëjë që të sigurojë votat për të kaluar buxheti. Sidomos tash, meqenëse Lista Serbe nuk është duke ardhur në seancë, por edhe një pjesë e deputetëve të cilët nuk janë zëvendësuar nga KQZ-ja, e cila është jashtë funksionit”, ka thënë Osmani.
Qëndrim kundër buxhetit, po vazhdojnë të kenë edhe Lëvizja Vetëvendosje. Anëtarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa nga radhët e Vetëvendosjes Arbërije Nagavci, e cila ka thënë se ky subjekt i ka paraqitur vërejtjet dhe kritikat për buxhetin gjatë shqyrtimit dhe mendojnë se ky projektbuxhet nuk duhet të kalojë në këtë formë.
“Ne nuk do ta votojmë këtë projektligj për faktin se mendojmë që nuk ofron mundësi për zhvillimin e vendit. Deri tani kemi parë se nuk i kanë votat, për këtë arsye edhe nuk u votua projektligji për kundër që gjatë gjithë kohës ne kemi qenë në sallë dhe kemi marrë pjesë në diskutime. Kanë zgjatur dy ditë diskutimet, dhe në asnjë moment nuk kanë qenë numrat e mjaftueshëm për ta votuar. Ka mundësi që në ditët në vijim mund të hedhin në propozim pasi që është shterur diskutimi. Kjo pritet të shihet, por është edhe obligim i Qeverisë përkitkëshit i shumicës që të sigurojnë numrat. Ne si Grup parlamentar i Lëvizjes nuk e mbështesim, por as Lidhja Demokratike për aq sa jemi të njoftuar”, thotë Nagavci.
Ndërsa, nënkryetarja e parë e Komisionit për Buxhet dhe Financa nga PDK-ja, Safete Hadërgjonaj ka thënë se pret që Kryesia e Kuvendit të Kosovës gjatë javës së ardhshme do ta caktojë një seancë po në atë javë dhe do ketë vota të mjaftueshme për ta votuar buxhetin 2019.
“Është mirë që partitë pozitë dhe opozitë nëse e duan shtetin e tyre, nëse e duan Kosovën duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe ta votojnë buxhetin. Nëse dikush mendon që vërtet duhet votuar kundër, të votoj kundër, por shumica, unë jam e bindur se do të votojnë për(pro), sepse nuk kanë kurrfarë arsye për të votuar kundër këtij buxheti… Unë jam e bindur që do të ketë vota dhe buxhetin do ta votojmë gjatë javës së ardhshme… besoj se do të jetë një seancë ku do të jetë pikë e rendit të ditës buxheti dhe do të ketë vota për të votuar”, është shprehur Hadërgjonaj.
Edhe deputeti nga radhët e Nismës Enver Hoti pret se të votohet projektbuxheti, sepse sipas tij, është një projektligj që mundëson zhvillim dhe qëndrueshmëri buxhetore.
Ndërsa, deputeti i PSD-së Dardan Molliqaj, i cili është anëtar në Komisionin për Buxhet dhe Financa, edhe pse është kontaktuar nga KosovaPress, nuk ka dashur ta komentojë nëse do ta votojnë buxhetin, apo do t’ia bëjnë kuorum pozitës për votim, pasi që deputetët e Listës Serbe vazhdojnë t’i bojkotojnë punimet e seancave.
Nora Jusufi nga Instituti GAP ka thënë se kanë bërë një analizë të projektbuxhetit për vitin 2019, dhe sipas saj, kategoria e luftës ka më shumë buxhet se kategoritë sociale. Ajo ka shtuar se kategoritë sociale do të duhej të ishin në fokus për ta zbutur varfërinë.
“Zakonisht ne ngrisim çështje për diskutim për parlamentarët para se ta votojnë atë, dhe të shohin realisht nëse buxheti është ndarë sipas objektivave dhe kujt t’i jepet prioritet më shumë. Në bazë të asaj analize kemi parë që buxheti për veteranët e tejkalon buxhetin për kategoritë sociale, i cili do t’i ndihmonte njerëzit të dalin nga varfëria. Këto çështje i ngrisim për diskutim që parlamentarët ta vlerësojnë se kjo duhet votuar apo jo. Ky është vetëm një fakt ndër të tjerët, të cilin e kemi listuar në raportin”, ka thënë Jusufi.
Në anën tjetër nëse buxheti nuk votohet, sipas procedurave ligjore në Kuvendin e Kosovës, deri në fund të këtij muaji, Kosova mund të shkojë në krizë buxhetore. Atëherë, sipas afatit kohor, në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave, në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm shpenzimet buxhetore duhet të realizohen në 1/12 e buxhetit të këtij viti.
Deputeti i LDK-së, Naser Osmani ka thënë se do të paraqitet gjendja për shfrytëzimin e Ligjit për menaxhimin e Financave Publike, që mundëson shfrytëzimin e ligjit paraprak të buxhetit për dy muajt e parë të vitit 2019.
“Kemi me ardhur në një situatë që duhet të hynë në fuqi neni i ligjit për menaxhimin e financave publike, që në vitin e ardhshëm në dy muajt e parë, buxheti të zbatohet sipas vitit paraprak. Pastaj, kuvendi ka të drejtë edhe një muaj, pra muajin mars që të vazhdoj në të njëjtën mënyrë dhe pas muajit mars nuk do të ketë më buxhet, nuk do të ketë asnjë financim, as për pagat, as për mëditjet, as mallra dhe shërbime, as për investime kapitale, dhe vjen një moment kur Qeveria dorëzohet para opozitës dhe duhet të ketë ndryshime në qeveri”, theksoi ai.
Ndryshe, buxheti për vitin 2019 është paraparë të jetë 2.3 miliardë euro.