Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka folur për buxhetin 2019, që është kritikuar shumë nga opozita.
Ajo tha se kritikat e LDK-së, janë të bazuara në fakte konkrete, duke pas parasysh se si ishte shpenzuar buxheti 2019.
Në Express Intervistën në KTV, ajo tha se në Parlament, po diskutohet projektbuxheti i 2019-s, e ku vërehet mungesa e të gjithë ministrave.
“Është për keqardhje që kryeministri i ka kushtuar vetëm disa minuta kësaj seance, që është ligji më i rëndësishëm prej të gjithëve në Kuvend. Është i rëndësishëm për të gjithë sepse të gjithë kontribuojnë në këtë buxhet, nga taksat e tyre. Aty kuptohet se si shpenzohen taksat e qytetarëve. Prezent ka qenë vetëm ministri i Financave, që edhe është përgjigjur, dhe një ose 2 ministra tjerë. Por kjo është skandaloze. Secili ministër e ka pasë obligim të jetë aty e të sqarohen në pyetjet që ne i bëjmë. Është e papranueshme që buxheti nuk reflekton në programin qeverisës. Ata premtonin, madje ka qenë edhe dokument, që rritja ekonomike do të jetë 10 për qind, por në projektbuxhet, rritja është 4.5 për qind”, tha ajo.
Bajrami, gjithashtu tha se kategoria sociale, buxheti i ndarë për ta, është pjesa më e madhe e buxhetit.
Ka kritikuar gjithashtu shumë fusha që s’janë të përfshira në buxhetin 2019. “Nuk targetohet as varfëria e as punësimi”.
Ka thënë se partitë në pushtet, në këtë mënyrë, s’po punojnë për qytetarët por për vete.
“Të ndash para të qytetarëve të varfër, të marrësh taksa nga ata që s’punojnë, është absurde, kështu s’po përmirësohet jeta e qytetarëve”, tha ajo.
E ka quajtur gjithashtu “Buxhet elektoral”, pasi thotë se thjesht po bëhen pazare e në buxhet nuk po dokumentohen saktësisht.
“Qytetarëve edhe pa ua thënë shifrat, e dinë se si bëhen sot punësimet”, tha ajo.
Ajo tha se vitet e fundit, subvencionet kryesisht shkojnë në bujqësi, por nuk po investohet në zinxhirin e vlerës, pasi çdo verë, ka teprica të pemëve e perimeve. Madje, ka përmendur problemet e tregtarëve që kishin për t’i shitur. “Këto s’janë politika zhvillimore, por janë disa ministri që janë krijuar vetëm për t’i rahatur militantët”, tha ajo.
“Në vitin 2019, nuk pritet madje të ketë as fond të sigurimeve shëndetësore”, tha ajo.
Ajo tha se është rritur buxheti, mirëpo përqindja e buxhetit në shëndetësi, potencoi ajo, është më i vogël.
“Rritjen më të madhe e kemi tek zyra e kryeministrit”, tha ajo.
Për të kaluar Projekt-ligji për vitin 2019, deputetja Bajrami, me ironi e duke thumbuar tha se është e sigurt që kryeministri e qeveria kanë planifikuar buxhet të veçantë për të kaluar ky ligj.
“Kjo do ta mundësojë që ndoshta të kalojë ky projektligj. Ne jemi kundër, do të mundohemi të dërgojmë amendamente dhe presim të përkrahen”, tha Bajrami.
“Është leximi i parë, leximi i parë ndoshta edhe nuk bëhet sepse pritet që buxheti të përmirësohet deri në leximin e dytë. Ka me qenë e vështirë të bëhen votat. Sa herë që Qeverisë i janë dashur votat kemi pasur probleme”, tha ajo.
Deputetja Bajrami ka thënë se për sa i përket transformimit të FSK-së, do ta përkrahin të gjithë, pra do ta votojnë.
Bajrami foli edhe për taksën prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe BeH.
“Vendosja e taksës, ndaj secili shtet, është vendim i Qeverisë. Nëse e shohim nga perspektiva se a e ka merituar Serbia, po e ka merituar. Me Bosnjën e Hercegovinën, është dashur të praktikohet reciprocitet i plotë. Psh nuk ka njeh certifikatat, dmth s’duhet as ne t’ia njohim. Por te Serbia, duhet të jetë bllokadë totale. Kosova CEFTAS iu bashkua si UNMIK, faktikisht ne përfaqësohemi atje përmes UNMIKUT. Kemi mundur të largohemi krejt nga CEFTA dhe me vendos masë reciprociteti me Serbinë. Me iu bashkua më pas CEFTAS si Kosovë”, tha ajo.