Ministri boshnjak: Nga taksa 100% humbëm 8 milionë euro

Ministri i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnjës dhe Hercegovinës, Mirko Sharoviq, ka thënë se që nga vendosja e taksës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për importimin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ky vend ka humbur rreth 4 milionë euro.

Sharoviq për Klix.ba, ka thënë se ka rënë eksporti i produkteve boshnjake në drejtim të Kosovës.

“Për një muaj nga zbatimi i tarifës 100 për qind mbi mallrat nga Bosnja dhe Hercegovina, janë eksportuar në Kosovë më pak se 4 milionë euro mallra në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur janë eksportuar mallra me vlerë rreth 12 milionë euro”, tha Sharoviq.

Reklama e sponzorizuar

Saroviq ka shtuar se “tarifa nuk mund të tolerohet dhe se ajo është krejtësisht kundër principeve themelore të tregtisë brenda CEFTA-së dhe se qëllimi i përbashkët i Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, është të heqë këto masa dhe të fillojnë bisedimet”.

Edhe ministri serb i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit, Rasim Lajiq, kishte thënë se Serbia nga kjo tarifë ka humbur mbi 30 milionë euro, percjell telegrafi.

Qeveria e Kosovës në muajin nëntor kishte miratuar masat mbrojtëse për importet e të gjitha produkteve të prodhuara në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, duke vendosur një tarifë prej 100 për qind.