Këto ditë janë mjaft të ftohta dhe duhet t’i ndihmojmë personat që jetojnë në rrugë në këto kushte shumë të vështira të motit. Britania e Madhe po përballet me rritjen e numrit të personave të pastrehë. Besohet që shifra e këtyre personave është rreth 10 mijë. Vendi duhet të ndërmarrë masa në këtë aspekt, por a ekziston ndonjë vend që duhet të merret shembull? Po, Finlanda.
Vitin e kaluar, Finlanda ishte vendi i vetëm i Bashkimit Evropian që nuk kishte krizë me personat e pastrehë. Organizata e BE-së që merret me personat e pastrehë, “FEANTSA”, në raportin e saj vjetor thotë se numri i të pastrehëve në Finlandë ka rënë për çdo vit. Finlanda e ka nisur një iniciativë që t’i largojë nga rruga të gjithë njerëzit. Ajo quhet “Strehimi në rend të parë”.
Finlanda madje po përkujdeset që t’ua zgjidhë problemet që i kanë bërë njerëzit të pastrehë. Kjo është shumë më ndryshe nga ajo që ofrojnë shtetet tjera. Kështu, njerëzit paguajnë qira dhe përfitojnë strehim. Në anën tjetër, edhe qeveria lokale paguan shumë për të pastrehët.
Organizata “Y-Foundation” është një organizatë që ofron banesa për personat e pastrehë. Juha Kaakinen, udhëheqës i kësaj organizate, thotë se ndërtimi i banesave për të pastrehët është projekt mjaft i kushtueshëm, por ata besojnë se një gjë e tillë ia vlen.
“Krejt kjo kushton shumë, por kemi shembuj nga shtetet tjera se kjo ka efekt më të mirë në periudhë afatgjate dhe në vend të menaxhimit të të pastrehëve, ne e zhdukim këtë dukuri. Nëse për asgjë tjetër, ky projekt ia vlen për arsye njerëzore dhe etike”, tha ai, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.