Me projektbuxhetin e vitit 2019-të, Qeveria e Kosovës ka dëshmuar se nuk i ka prioritet të varfërit që janë pjesë e skemave sociale, përcjell Buletini Ekonomik. Vetëm 30 milionë euro janë ndarë për skemën e ndihmës sociale, e cila është e vetmja skemë në Kosovë e destinuar drejtpërdrejt për të varfër.
Sipas një analize të njohësit të ekonomisë Edison Jakurti, nga kjo i bie që Qeveria e Kosovës ka planifikuar mesatarisht 0.77 euro në ditë për një të varfër që merr ndihmë sociale.
Jakurti këtë e ka krahasuar me të hyrat që marrin zyrtarët e kryeministrisë dhe presidencës.
“35 euro për zyrtarin e presidencës, 22 euro për zyrtarin e kryeministrisë, 77 cent për një të varfër”, ka shkruar Jakurti në facebook.
Sipas tij, i njëjti projektbuxhet parasheh 1,114,068 euro për pagat dhe meditjet e 87 zyrtarëve në Zyrën e Presidentit, dhe 4,901,685 euro për pagat e meditjet e 615 zyrtarëve në Zyrën e Kryeministrit.
“Le të supozojmë, ndonëse vështirë të parashikohet, se numri i bashkëpunëtorëve të presidentit e kryeministrit nuk do të rritet gjatë vitit 2019. I bie që Qeveria e Republikës së Kosovës ka planifikuar mesatarisht 35.08 euro në ditë për një zyrtar në Zyrën e Presidentit dhe mesatarisht 21.84 euro në ditë për një zyrtar në Zyrën e Kryeministrit”, vlerëson Jakurti.
Këtë konstatim, Jakurti thotë se e ka nxjerrë bazuar në statistikat e fundit të publikuara nga ASK-ja e cila tregon se në dhjetor të vitit 2017 ndihmë sociale kanë pranuar 106,628 persona. /Buletini Ekonomik/