Qeveria do ta ketë nesër pikë të rendit të ditës shfuqizimin e vendimit për emërimin e drejtorit të Agjencisë së Punësimit, Drin Haraçia. Në rendin e ditës që e ka siguruar gazeta Koha Ditore, kjo është pika e 14.
Shqyrtimi i këtij vendimi vjen pas kërkesës që ja ka bërë javën e kaluar Ministria e Administratës Publike (MAP) Qeverisë. Kjo pasi Gjykata e Apelit ka vërtetuar shkeljet që janë bërë gjatë rekrutimit të kësaj pozite.
Gazeta “Koha Ditore” ka raportuar sot se Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore, e cila kishte konstatuar se procesi i rekrutimit për drejtor të Agjencisë së Punësimit (APRK) është përcjellë me parregullsi.
Përmes një aktvendimi të nxjerrë ditë më parë, Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Qeverisë, Ministrisë së Administratës Publike (MAP) si dhe Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale (MPMS) ndaj vendimit të Gjykatës Themelore, e cila kishte konstatuar shkeljet gjatë rekrutimit të kësaj pozite.
Në prill të vitit 2017 drejtor i Agjencisë së Punësimit, që vepron në kuadër të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, ishte zgjedhur Drin Haraçia.
Pas zgjedhjes së tij, kundërkandidati, Dëfrim Rifaj, kishte bërë ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), duke pretenduar se i gjithë procesi për këtë pozitë është manipuluar. Këshilli në shtator të vitit të kaluar kishte nxjerrë vendim përfundimtar për anulimin e konkursit. E meqë vendimi nuk ishte zbatuar nga Qeveria, Rifaj e kishte paraqitur rastin edhe në Gjykatën Themelore.
Kjo gjykatë, në janar ka nxjerrë aktvendim në çështjen përmbarimore të kreditorit Rifaj kundër debitorit: Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Administratës Publike, si dhe Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale. Edhe pse këto 3 institucione kishin bërë ankesë, Gjykata e Apelit në muajin nëntor përmes një aktvendimi e ka cilësuar atë si të pabazuar duke e marrë si të drejtë vendimin e Gjykatës Themelore.