Të ardhurat nga vizitorët e huaj në Shqipëri në 9 muajt e parë të këtij viti janë rritur me 158 milionë euro krahasuar me vitin e shkuar dhe në 5 vite të ardhurat nga vizitorët e huaj janë rritur 55%.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë u bënë publike nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS.
“Sipas Bankës së Shqipërisë dhe jo sipas nesh, të ardhurat nga vizitorët e huaj në Shqipëri në 9 muajt e parë të këtij viti janë rritur me 158 milionë euro krahasuar me vitin e shkuar dhe në 5 vite të ardhurat e vizitorëve të huaj në ekonominë tonë janë rritur 55%, sipas Bankës së Shqipërisë”, tha Rama.
Më tej, ai sqaroi se çdo vit e më shumë, shqiptarët udhëtojnë jashtë vendit, çka sipas tij, përkthehet në një gjendje të mirë financiare.
“Sipas Bankës së Shqipërisë, shqiptarët udhëtojnë përvit e më shumë dhe patjetër që kjo pasqyron gjendjen e tyre financiare. Në 9-mujorin e parë të 2018, shqiptarët shpenzuan 136 milionë euro më shumë për të udhëtuar jashtë vendit, krahasuar me një vit më parë. Këtu Banka e Shqipërisë llogarit vetëm ata që jetojnë në vendin tonë dhe jo ata që vijnë e ikin”, deklaroi Rama.