Vizita e Hahn në Kosovë: Qeveria thotë se nuk tërhiqet nga taksa 100 %

Johannes Hahn, komisionari i BE-së, gjatë ditës së sotme (më 3 dhjetor), do ta vizitojë Prishtinën, ku do të zhvillojë takime të ndara me krerët shtetërorë. Vizita e Hahn, vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Por, nga Qeveria për Express, thonë se vizitën e Hahn nuk e shohin si tendencë për t’i bindur rreth heqjes së taksës ndaj Serbisë. Ata thonë se do të diskutojnë me komisionerin e BE-së rreth çështjeve që e kanë sjellë Qeverinë për ta marrë këtë veprim e jo për heqjen e taksës.

Qeveria e Kosovës ka dy javë që ka vendosur ta sanksionojë Serbinë ekonomikisht si kundërpërgjigje ndaj qasjes së saj politike agresive ndaj Kosovës. Secili produkt serb që hyn në Kosovë do të taksohet me 100 për qind. Njësoj edhe produktet e Bosnjës, vetëm se këtu nuk përfshihen produktet e brendeve ndërkombëtare që prodhohen në Serbi e në Bosnjë.

Ky veprim i Qeverisë Haradinaj ka ngritur reagime të mëdha të shtetit serb por edhe të zyrtarëve të tjerë të huaj.

Reklama e sponzorizuar

Për këtë punë, sot në Kosovë do të qëndrojë komisari evropian për dialog dhe zgjerim, Johannes Hahn, i cili do të flasë me krerët shtetërorë rreth vendimit për vendosjen e taksës ndaj Serbisë.

Hahn pritet që së pari të takohet me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, me fillim nga ora 13:15. Pas përfundimit të këtij takimi, Hahn do ta takohet me kryeparlamentarin, Kadri Veseli, në orën 14:00.

Përmes njoftimit për media, po ashtu, bëhet e ditur se takimi i Hahn me kryeministrin Ramush Haradinaj, nis në orën 14:50.

Por, pavarësisht vizitës së komisionerit të lartë të BE-së, Qeveria e Kosovës, është e vendosur se taksa ndaj Serbisë do të vazhdojë.

Në një përgjigje për Gazetën Express, shefi i delegacionit të Kosovës në dialogun teknik me Serbinë dhe këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi.

ka deklaruar se Qeveria nuk e sheh si tendencë vizitën e Hahn për t’i bindur ata për heqjen e taksës ndaj Serbisë. Arifi thotë se me komisionerin e BE-së, do të flasin rreth çështjeve që e kanë sjellë Kosovën që ta marrë vendimin për taksën.

“Nuk e shoh këtë vizitë si tendencë për të na bindë. E shoh si bashkëbisedim ku ne do të flasim për çështjet që kanë sjellë këtë situatë”, ka deklaruar Arifi.

E, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim më 21 nëntor që të rrisë në 100 për qind taksën doganore për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja. Rritja e kësaj takse, pason vendimin paraprak të Qeverisë për vendosjen e një takse prej 10 për qind për prodhimet nga këto dy shtete.

Reagime lidhur më vendimin e Qeverisë se Kosovës për rritjen e taksës për prodhimet serbe, ka pasur edhe nga Bashkimi Evropian, duke kërkuar që kjo taksë të hiqet menjëherë pasi përbën shkelje të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, e njohur si CEFTA.

Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se masa ndaj importit të mallrave serbe nuk duhet të hiqet derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.