VV: Haradinaj po tenton t’ua mbyllë gojën prokurorëve përmes shtesave

Kryeministri Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se nga e marta, të gjithë prokurorët specialë do të përfitojnë shtesa për punën e tyre në hetimin e veprave që lidhen me korrupsionin.

Për këtë vendim të Qeverisë ka reaguar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila thotë se Haradinaj po tenton t’ua mbyllë gojën prokurorëve që po merren me rastin e ngritjes së pagës së tij.

“Sipas i informacioneve që i kemi, kallëzimin penal që e kemi deponuar për vendimin e paligjshëm të Qeverisë Haradinaj, për ngritjen e pagave për vete, është duke e trajtuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Paralajmërimi i Haradinajt, për shtesa prokurorëve të Prokurorisë Speciale përveç tjerash është edhe tendencë për t’ia mbyllur gojën prokurorëve special”, ka shkruar Haxhiu në profilin e saj në Facebook, raporton Koha.net.

Reklama e sponzorizuar

Deputetja e VV-së thotë se për ta dëshmuar të kundërtën, “prokuroria duhet të veprojë menjëherë karshi shkeljes penale të Kryeministrit dhe ministrave që e kanë votuar atë vendim të paligjshëm”.

Ndaj vendimit të Qeverisë për rritje pagash për prokurorët specialë ka ngjallur reagim edhe nga organizata të ndryshme, si IKD, Çohu e GLPS.