Statuti për Trepçën i është kthyer sërish Bordit të kësaj ndërmarrjeje nga anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik. Kjo pasi anëtarët e këtij komisioni kanë kërkuar që Bordi të përfshijë kërkesat e sindikatës për të cilat është arritur marrëveshje mes Sindikatës dhe Qeverisë.
Deputeti Liburn Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se statuti që është sjellë është i njëjtë me statutin e herës së kaluar, duke kërkuar nga Bordi që të hartojë vet statutin e mos t’i fut Kuvendi duart në këtë çështje.
“Statuti që na ka ardhur është i njëjti siç ka qenë, vetëm se kemi një dokument të bashkangjitur që paraqet marrëveshjen mes Qeverisë dhe sindikatës. Po ashtu jam dakord që edhe asetet të jenë pjesë e statutit por mendoj që rruga më e shpejtë dhe efikase është që bordi bashkë me qeverinë t’i evidentojnë vërejtjet. Nëse ne si Kuvend e marrim përsipër të përpilojmë statutin, ne biem në kundërshtim me ligjin”, ka thënë Aliu.
Sipas tij, Bordi duhet të sjellë statut që Kuvendi e miraton. “Nëse ne i fusim duart në statut, ne hyjmë në një grup të gjerë, e pastaj për interesa partiake nuk pajtohet”, ka thënë ai.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se draft-statuti duhet bërë nga aksionarët dhe vetëm atëherë mund ta votojnë. “Çështjet e para që janë ngritur kanë qenë që ne si deputetë nuk kemi të drejtë të bëjmë amendamente, amendamente që assesi nuk ka të drejtë t’i aprovojë komisioni, por të aprovohen në seancë të Kuvendit”, ka pohuar Bajrami.
Sipas saj, kanë qenë një numër i madh i aseteve në statutin e kaluar që nuk kanë qenë të përfshira. “Ne si deputetë jemi në gjendje të kthehemi këtu dhe t’ia japim votën një draft-statuti që e kanë bërë aksionarët. Përgjegjësia është e aksionarëve”, ka pohuar ajo.
Deputeti Dardan Sejdiu nga PSD ka thënë se nuk duhet të përsëritet gabimi me statut ashtu siç është gabuar me ligjin për Trepçën. “Ky ligj si i tillë ka probleme. Nuk po kem guximin as ndërmarrje publike t’i themi. Nuk kemi nevojë të gabojmë me statut ashtu siç kemi gabuar me ligj. Bordi le ta bëjë punën e vet, le ta sjellë dokumentin final. Unë nuk e di Trepça a trajtohet si ndërmarrje publike. Unë jam plotësisht i sigurt që nëse qeveria, sindikata e bordi ulen, unë sot pasdite mund të vi e ta votoj. Kërkesa ime si deputet është që të sillni një statut të dakorduar”, ka theksuar Sejdiu.
Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, kërkoi përgjegjësi nga bordi i Trepçës pse nuk është përpiluar drafti final i statutit. “Këtu ka një lloj ngatërrese. Zotëri [Naser] Peci, pse ju nuk e keni hartuar një draft final të statutit? Pse ju nuk e keni kryer detyrën tuaj dhe ta sillni draftin final. Unë po besoj që këtu ka pas telashe me metodologjinë e punës dhe kornizën e përpilimit të draftit”, i është drejtuar ai anëtarit të Bordit të Trepçës, i cili ka qenë prezent në mbledhje.
Ai ka thënë që Bordi le ta marrë përgjegjësinë dhe të nënshkruhet në fund Bordi i shoqërisë aksionare.
Edhe deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, i bëri thirrje Bordit të Trepçës që të mundohen më shumë dhe të harmonizohet statuti. “Ka muaj që neve na ka mbetur në derë projekt-statuti dhe si procedurë ne kemi mundur ta votojmë më herët, por kemi pas pakënaqësi. Sot kemi një konflikt mes procedurës dhe përmbajtjes. Nuk është çështje e pamundshme të miratohet statusi i Trepçës, vetëm mundohuni pak”, ka theksuar ai.
Përfaqësuesi i bordit të Trepçës, Naser Peci, ka thënë se miratimi i statutit i hap rrugë Trepçës.
“Ne i kemi përkrahur çështjet sociale dhe i përkrahim mirëpo kemi menduar që nuk duhet të ngarkohet statuti me çështje të tilla. Sipas statutit, pritet të formohet bordi menaxhues i Trepçës sepse është shumë me rëndësi për Trepçën”, ka theksuar Peci. Sipas tij, statuti është derivat i ligjit, është dokument themelues që na hap shumë rrugë.
Shyqyri Sadiku, kryetar i sindikatës së Trepçës, ka thënë se problemet që kanë ardhur janë si pasojë e mosbashkëpunimit të bordit. “Bordi nuk ka dashur t’i fus kërkesat tona dhe na kanë futur në grevë. Unë mendoj që draft-statuti duhet të futet me vërejtjet tona”, ka pohuar ai.