BQK-ja pritet të anulojë tarifat e mirëmbajtjes së llogarive bankare

Miliona euro përfitojnë bankat komerciale vetëm nga mirëmbajtjet e llogarive të klientëve.

Kjo pasi shteti përmes ligjit i obligon qytetarët që pagat t’i marrin përmes sistemit bankar, raporton KTV.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, janë mbi 300 mijë qytetarë që përdorin bankat.

Reklama e sponzorizuar

Megjithëkëtë, këto shërbime për qytetarët kanë kosto të cilat ndryshojnë nga 50 cent deri në 5 euro.

Në pjesën më të madhe të tyre përfshihen vetëm shërbimet elementare për hapjen e një llogarie si deponimi dhe tërheqja e parave.

Njohësi i sistemit bankar, Naim Gashi thotë se është e paarsyeshme që qytetarët të obligohen të hapin llogari të cilat në fund u kushtojnë dhjetëra miliona euro.

Burimet e KTV-së brenda bankave komerciale, kanë treguar se në takimet e zhvilluar me përfaqësues të BQK-së, është diskutuar mundësia e largimit të tarifave bankare për shërbimet elementare.

Drejtori i Departamentit për Mbikëqyrjen Bankave në BQK, Mentor Geci e ka konfirmuar këtë, por ka thënë se ideja është ende në fazën e parë të shqyrtimit.

Geci ka treguar se largimi i tarifave planifikohet të realizohet përmes një rregulloreje.

Por, drejtori i Shoqatës së Bankave të Kosovës ka treguar se ende nuk janë të njoftuar lidhur me këtë ide.

Ndërsa ka thënë se do të bazohen në praktikat evropiane për uljen e kostos së shërbimeve bazike.

Prej mbi 300 mijë përdoruesve të bankave, mbi 200 mijë përdorin sistemin E- Banking, e cila u mundëson qasje në llogari dhe kryerjen e disa shërbimeve përmes internetit.

Së fundi, pas ankesave të shumta të klientëve të bankave, BQK-ja pati hequr edhe tarifën hyrëse në rastet e pranimit të parave në llogari.

Bankat për këtë kishin ndalur nga 50 deri në 1 euro e 50 cent, por si përfundim nuk kishin arritur të argumentonin se çfarë shpenzime kishin në rastet kur llogaritë pranonin para.

E krejt kjo bëhej në mungesë të një rregulloreje.