Ka një muaj e gjysmë që në sirtarët e Kuvendit ndodhet një raport i hartuar nga një komision hetimor, i cili ngre dyshime për keqpërdorim të buxhetit të dedikuar për lobim. Për këtë, drejtuesit e komisionit bëjnë me gisht kah kryeparlamentari Kadri Veseli, shkruan sot Koha Ditore.
Komisioni që drejtohej nga opozita ka kryer punën në fillim të muajit të shkuar. Përmbajtja e raportit është kundërshtuar vetëm nga dy anëtarët e komisionit që i përkisnin Partisë Demokratike (PDK), të cilën kryeparlamentari Veseli e drejton. Dhe, në raport, dyshimet më të mëdha për keqpërdorim fondesh hidhen mbi eksponentë të PDK-së që kishin pushtet, sikur te ish-kryetari i kësaj partie, Hashim Thaçi, që tash është president i vendit, apo edhe te ish-zyrtarët e lartë partiakë që në periudha të ndryshme e kanë drejtuar Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ).
Dardan Sejdiu është deputet nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe ka qenë drejtues i komisionit hetimor. Ai i ka thënë gazetës se raporti final i Komisionit është dokumenti më i rëndësishëm i punës që është bërë gjatë muajve të kaluar dhe ka rikujtuar se, sipas Ligjit për hetim Parlamentar, këtë dokument e ka proceduar për Kryesinë e Kuvendit. Dhe mbështetur në ligj, ky forum i Kuvendit është dashur ta vendosë në rend të ditës për shqyrtim brenda tridhjetë ditëve nga dita e dorëzimit.