FMN kundër kërkesave të SBASHK-ut për rritjen e pagave

Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen, thotë se një rritje e mundshme prej 30 për qind e pagave, siç po kërkojnë punëtorët e arsimit në Kosovë, do të ishte një pengesë për krijimin e vendeve të reja të punës, dhe do të ishte një shkelje e rregullimit të kostos së pagave.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Vermeulen thotë se kërkesa e arsimtarëve për rritje pagash nuk mund të trajtohet si rast i veçantë, pasi tashmë kërkesa të ngjashme ka gjithandej nga sindikata të ndryshme në Kosovë.

Ai thotë se secila rritje ‘”ad-hoc”, qoftë 10 për qind që është ofruar nga Qeveria, qoftë 30 për qind që është kërkuar nga SBASHK-u, do të ketë ndikim negativ për krijimin e vendeve të reja të punës në sektorët tjerë jashtë arsimit.

Reklama e sponzorizuar

“Nëse do të pranohej oferta për rritje prej 10 për qind, kjo do ta merrte hapësirën për punësime shtesë në sektorët kryesorë, siç është shëndetësia dhe drejtësia. Rritja prej 30 për qind me shumë gjasa do ta bllokonte mundësinë për të gjitha punësimet e reja ose rritjet e pagës për të tjerët dhe do të shkaktonte shkelje të rregullit për koston e pagave”, thotë Vermeulen.

Përfaqësuesi i FMN-së në Kosovë thotë se një rritje e mundshme do të ndikonte negativisht edhe në konkurrueshmërinë e tregut, bazuar në atë se sa paguhen punëtorët në sektorin privat.

“Ajo që ka rëndësi është se rritjet e mëdha në sektorin publik do të bëjnë presion për pagat në sektorin privat, duke ndikuar negativisht në konkurrueshmerinë e ekonomisë, krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike”, shprehet ai.

Vermeulen thotë se pagat e arsimtarëve do të mundë të rriteshin me 3 për qind, nëse respektohet draft-ligji për pagat në sektorin publik.

“Për më tepër, çdo rritje në pagën bazë të mësuesve duhet të vlerësohet në bazë të pagës që marrin aktualisht mësuesit, rritjen e pagës dhe fuqizimin e shtesave të veçanta që janë propozuar në draft-ligjin për pagat në sektorin publik. Nëse zbatohet një përshtatje e tillë, paga bazë e mësuesve do të rritej për rreth tre për qind”, shton përfaqësuesi i FMN-së.

Vermeulen thotë se pavarësisht këtyre diskutimeve që po bëhen për rritje pagash, draft-ligji për pagat ka shumë probleme, për të cilat thotë se gjithmonë kanë këshilluar institucionet e Republikës së Kosovës që të rihartojnë një draft-ligj për pagat i cili mban brenda limiteve koston e shpenzimeve për paga.

“Sidoqoftë, pavarësisht rregullimit ‘ad hoc’ të pagave që po diskutohet tash, draft-ligji për pagat ka shumë mangësi të tjera, siç është kostoja tashmë e madhe fiskale që e vë në rrezik kufirin për kosto të pagave, rritja e shtesave të papërcaktuara, përfshirë shtesat për mësuesit, të cilat e dëmtojnë integritetin e kornizës së pagave, pagesat e pabarabarta për shkak të pagesave shtesë dhe mungesa e rregullimeve për grupet e veçanta. Prandaj, ne i kemi këshilluar autoritetet që ta rihartojnë draft-ligjin për pagat në mënyrë që të sigurohen se ai i mban koston brenda kufijve për shpenzimet e pagave dhe që e plotëson qëllimin e tij për pagesë të njëjtë për punën e njëjtë”, sqaron Vermeulen.

Teksa Vermeulen flet për koston që arsimtarët i kushtojnë buxhetit të Republikës së Kosovës, kujton edhe rezultatet e dobëta në testin PISA, për të cilat thotë se ishin zhgënjyese.

“Ta keni parasysh se ndonëse shpenzimi i katër për qind të GDP-së për arsim është i ulët në krahasim me fqinjët e Kosovës, pagat e mësuesve tashmë shpenzojnë një pjesë të madhe të kësaj shume në mënyrë disproporcionale. Në të njëjtën kohë, rezultatet e arsimit, siç janë matur për shembull nga rezultatet e PISA-s, kanë qenë zhgënjyese”.

Sipas zyrtarit të lartë të FMN-së, një rritje prej 10 për qind do t’i kushtonte rreth 14 milionë euro buxhetit të Kosovës, dhe do të mundë të nxiste kërkesa legjitime edhe të sektorëve tjerë publikë për rritje pagash, gjë që po ndodh tashmë.

“Një rritje prej 10 për qind për mësuesit do të kushtonte rreth 13-14 milionë euro ose 0.2 për qind e GDP-së. Një rritje prej 30 për qind do të kushtonte tri herë më shumë. Kjo mund të krahasohet me një rritje të kostos për paga për rreth 26 milionë euro për punësime shtesë në sektorët kryesorë dhe një rritje modeste për pagat e sektorit publik që llogariten për përvojën e punës, të paraparë në draft-buxhetin për vitin 2019”, ka përfunduar përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Ruud Vermeulen.

Në Kosovë ka disa ditë rresht që nuk po mbahet mësim, pas kërkesës së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit të Kosovës për grevë. Kryeministri Haradinaj ka mbajtur një takim me kryetarin e kësaj sindikate, Rrahman Jasharajn, ditë më parë, megjithatë kanë dështuar të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Haradinaj ka thënë se gjithçka që mund të ofrojnë është një rritje prej 10 për qind, ndërsa Jasharaj ka mbetur i palëkundur në kërkesën e tij për rritje prej 30 për qind që është konsideruar e papërballueshme nga Qeveria. Kësisoj në shkresa zyrtare, SBASHK-u ka bërë thirrje që greva të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave.

Ndërkohë kanë qenë disa kryetarë komunash të cilët kanë tentuar ta ndërpresin grevën, duke bërë thirrje secili që arsimtarët nëpër komunat e tyre t’u kthehen ditarëve dhe të fillojnë procesin mësimor, por pa sukses.