Gati katër vjet pasi i hapi dyert fluksit të refugjatëve që mbërriti në 1 milionë vetë, Gjermania pa zhurmë po e mbyll serish mundësinë e aplikimeve për azil e po shton deportimet.
Trendi vazhdon edhe pse numri i personave që po mbërrijnë në Europe ka renë me 80% që prej kulmit të krizës në 2015-tën.
Ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer deklaroi së fundmi se vitin e kaluar, Gjermania regjistroi rreth 185,000 kërkesa azili, apo 17% më pak se vitin paraardhës dhe shumë më pak se 4 vjet më parë, kur kjo shifër mbërrinte në 890,000.
“Tani problemin e kemi nën kontroll dhe gjerat i kemi vënë në vije. Ne po u ofrojmë mbrojtje atyre që janë më të cenueshëm; megjithatë të drejtat e azilit do të pranohen vetëm nëse mund të riatdhesojmë ata të cilët këtë mbrojtje nuk e kanë të domosdoshme, u shpreh ai, transmeton tch.
Që prej 2015-tës, kur Angela Merkel i mirëpriti refugjatet me shprehjen e famshme: “Ne mund t’ia dalim”, gjërat kane ndryshuar. Ka pasur një kthesë në qëndrimin gjerman të pritjes duar-hapur. Partia kundër emigracionit, AfD ka avancuar ndjeshëm në sondazhe.
Disa krime shokues që patën për autorë emigrantët kanë ndikuar shumë mbi opinionin publik, e këto reagime i kanë shtyrë partitë gjermane të qendrës të tregohen më të ashpra në raport me emigracionin.
Javën e kaluar, Dhoma e Ulët e Parlamentit gjerman votoi që Maroku, Algjeria, Tunizia dhe Gjeorgjia të hynin në listën e vendeve të sigurta të origjinës, çka ua vështirëson së tepërmi azilkërkuesve nga këto vende mundësinë për të siguruar statusin e refugjatit./Kp