Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës do ta pezullonte përkohësisht taksën, vetëm pas garancës ndërkombëtare e cila do të ndihmonte nënshkrimin e një marrëveshjeje përfundimtare, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke në mes dy vendeve.
“Përkundrazi, Qeveria e Kosovës do ta pezullonte përkohësisht taksën, vetëm pas garancës ndërkombëtare, se do të ulemi për ta nënshkruar marrëveshjen përfundimtare, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke. Garanca do të thotë që ekziston një materie, kontratë e dakorduar në parim dhe pret vetëm nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, që rezulton me njohje”, ka shkrua kryeministri Haradinaj në Facebook.
Tutje, ka shkruar se përderisa ka vetëm sugjerime për takime dialoguese të pafrytshme, pa objektiv dhe pa afate qartë të përcaktuara, pa kontratë të paradakorduar dhe garancë ndërkombëtare, që do të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare që rezulton me njohje, taksa vazhdon të mbetet në fuqi.
“Jam thellësisht i bindur për mundësinë e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me Serbinë, që rezulton me njohje. Ne intensivisht po punojmë për një kontratë përfundimtare, marrëveshje finale, me ç’rast edhe dorëzuam Librin e Madh me kapituj dhe Draftin e kësaj marrëveshjeje. Tërë këtë përmbajtje e kemi zhvilluar me qëllim për t’u siguruar se kur ulemi me Serbinë të kemi materie të qëndrueshme, me fakte dhe argumente”, ka deklaruar Haradinaj.
Sipas tij, vendosja e taksës ndaj produkteve të Serbisë nuk ka për qëllim pengimin dhe prolongimin e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me Serbinë, që rezulton me njohje.