Më shumë se tre miliardë dollarë llogaritet të jetë pasuri financiare e biznesmenëve shqiptare vetëm në Zvicër, Gjermani dhe Austri, pa llogaritur pjesën tjetër të mërgatës në mbarë botën.
Për këto mjete u kërkua që të hapet një bankë e diasporës në Kosovë në mënyrë që të multiplifikohen dhe të përfitojë ekonomia e vendit.
Edhe pse ishte paralajmëruar hapja e kësaj banke më 28 nëntor të vitit të kaluar, në simbolikë të ditës së flamurit, ende nuk është bërë asnjë veprim konkret. Në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) në të cilën duhet të bëhet aplikimi, akoma askush nuk ka trokitur në derë për këtë çështje.
Për t’u hapur një bankë në Kosovë, sipas Ligjit nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Kosovës, “gjatë procesit të themelimit dhe para marrjes së licencës përfundimtare, duhet të depozitojë për këtë qëllim në BQK një kapital fillestar minimal në shumë jo më pak se 7 milionë euro”.
Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se çështja e bankës së diasporës ka të bëjë me vullnetin e afaristëve nga diaspora. “Çështja e bankës së diasporës ka të bëjë me disa individë dhe kompani nga diaspora që të aplikojnë. Ne do t’i mbështesim. Sa e di unë, deri më tani nuk kanë aplikuar dhe është çështje e pjesëmarrjes financiare që duhet të deponohen diku rreth 6 milionë euro. Gjithçka deri më tani ka mbetur në vullnetin e tyre. Ne me mundësitë tona do t’i përkrahim”, ka thënë ministri Gashi.
Kurse kryetari i rrjetit të bizneseve të diasporës në Austri, Ylli Blakaj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se janë duke u koordinuar me rrjetin e bizneseve të diasporës dhe ka apeluar që mos të ketë ndërhyrje politike në këtë proces. Sipas tij, bizneset shqiptare të Austrisë janë të gatshme ta deponojnë shumën e tyre në bankën e diasporës. “Shoqata jonë ka pasur iniciativë për këtë bankë dhe gradualisht po diskutojmë me anëtarët tanë. Sa i përket paralajmërimit që hapja të bëhej më 28 nëntor të vitit që lamë pas, unë edhe atëherë kam menduar se është paralajmërim i ngutshëm pasi kjo çështje merr kohë. Neve na duhet bankë e diasporës në Kosovë, por që ka filialet edhe në diasporë, në mënyrë që të operojmë më lehtë. Esenca është që kapitalin e diasporës për ta shfrytëzuar në të mirë të vendit e, po ashtu, në këtë bankë të ketë edhe depozita dhe kredi”, ka thënë Blakaj.
Ai ka bërë me dije se do të kenë takime edhe përpjekje për ta organizuar një forum ekonomik shqiptar të nivelit botëror. “Sa i përket fazës së aplikimit, ne jemi në pritje të konsolidimit në rrjet. Në janar kemi takime dhe do të kemi përpjekje për ta organizuar një forum ekonomik në muajin maj në nivel të rrjeteve të botës, dhe aty vendos bordi. Bizneset e Austrisë janë të gatshme që pjesën e tyre të mjeteve ta deponojnë në këtë bankë”, u shpreh ai.
Blakaj ka shprehur vërejtje te rrethanat politike në vend, duke thënë se ato nuk janë të favorshme. “Kushtet politike nuk janë të favorshme pasi gjithçka po lidhet me politikë. Ata duhet të na lënë të lirë dhe të mos përzihen. Ka pasur infiltrime. Pra, dalja e ministrit të Diasporës dhe presidentit për të folur për këtë çështje nuk është e duhur”, ka thënë Blakaj.
Ndërkaq guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, në një intervistë për gazetën “Epoka e re” pati thënë se ka hapësirë për një partneritet më të thuktë në mes të Kosovës dhe diasporës. “Duke pasur parasysh rëndësinë e diasporës, vlerësoj se ka hapësirë për një partneritet edhe më të madh ekonomik ndërmjet Kosovës dhe diasporës, duke rritur kontaktet ndërmjet institucioneve dhe afaristëve vendorë me afaristët nga diaspora, për t’i pasqyruar më për së afërmi mundësitë që i ofron ekonomia e Kosovës”, ka thënë Mehmeti, duke shtuar se BQK-ja mirëpret investimet e mundshme nga diaspora në sistemin financiar.
“BQK-ja është e gatshme të mbështesë, me të gjitha kapacitetet e saj, çdo iniciativë për të investuar në Kosovë. Për këtë qëllim ne kemi mirëpritur një iniciativë të tillë, jemi takuar me iniciatorët dhe i kemi informuar lidhur me kërkesat ligjore të BQK-së për licencimin e një banke”, u shpreh ai.
Njohësi i çështjeve ekonomike që për dy mandate udhëhoqi Odën Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se diaspora ka rëndësi shumëdimensionale.
“Diaspora shqiptare kudo në botë është e anashkaluar dhe për të flitet vetëm në fushata zgjedhore. Duhet të kuptohet se mëkati më i madh që i bëhet diasporës është që analizohet më shumë nga dimensioni financiar sesa një vlerë intelektuale dhe edukative. Është diskutuar shumë herë për krijimin e një banke të diasporës. Duhet të kuptohet se ata janë ambasadorët më të mirë të Kosovës. Kushti i parë për një bankë të tillë është stabiliteti dhe politika dhe sundimi i rendit dhe ligjit. Kjo është një ndër sëmundjet më të mëdha që i kanoset aktualitetit ekonomik”, ka thënë ai.
Gërxhaliu ka përmendur edhe përfitimet potenciale që mund të kishim nga kjo bankë.
“Përfitimet nga banka e diasporës do të ishin shumëdimensionale, si në aspektin ekonomik ashtu edhe atë integrues. Sa më shpejt ta kemi këtë bankë, shumë procese do të marrin kahe pozitive. Nuk mund të imagjinohen projektet e mëdha si Kosova e Re dhe projekte të tjera pa ndihmën e diasporës. Në Zvicër, Gjermani dhe Austri, janë më shumë se tre miliardë kapital i diasporës. Imagjinojeni çfarë katalizatori ekonomik do të kishim sikur t’u krijonim kushte për të investuar në Kosovë”, ka thënë Gërxhaliu, duke shtuar se BQK-ja duhet të jetë më solide sa iu përket kushteve të licencimit të kësaj banke. “BQK-ja me rastin e aplikimit, për hir që është kapital i diasporës, duhet të ketë kushte më të volitshme. BQK-ja duhet të jetë funksionale dhe të ketë trajtim të veçantë në këtë drejtim”, ka thënë Gërxhaliu.