Minatorët kërkojnë rritje të pagës dhe nga 100 euro për Vitin e Ri

Me të hyrat që operon Trepça, pagat e punëtorëve të Minierës së Stantërgut nuk do të mund të rriten, ka paralajmëruar ministri i Zhvillimit Ekonomik.

Në vitin 2018, Trepça ka operuar me humbje, pasi të hyrat kanë rënë për 3 milionë euro, nga 13 milionë sa ishin në vitin 2017, në 10 milionë euro, raporton KTV.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka treguar se me gjendjen financiare që operon ndërmarrja, rritja prej 20 për qind është barrë e madhe.

Reklama e sponzorizuar

Megjithëkëtë, kjo nuk po e ndal sindikatën dhe punëtorët e kësaj miniere që të kërkojnë rritje, jo vetëm për minatorët, por dhe pjesën e punëtorëve administrativë.

Në përkrahje të tyre ka dalë edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Kryetari Avni Ajdini ka thënë se nëse kërkesat nuk aprovohen, atëherë grevës do t’i bashkohen edhe sindikatat e tjera.

Ministri Lluka pritet t’i takojë minatorët gjatë së mërkurës.

Përveç rritjes së pagave, punëtorët e minierës kishin kërkuar edhe nga 100 euro për festën e Vitit të Ri.