Minatorët paralajmërojnë eskalim situate nëse s’përmbushen kërkesat e tyre

Minatorët e Trepçës kanë paralajmëruar eskalim të situatës në rast të mospërmbushjes së kërkesave të tyre gjatë ditëve në vijim.

Ata në ditën e gjashtë të grevës kanë potencuar kërkesat e tyre siç janë, rritja e pagave për 20 për qind, mospunësimi i punëtorëve të rinj pa konkurs, takimi i menjëhershëm me Bordin e minatorëve, si dhe përmbushja e kërkesave të tyre të bëra më parë, ndonëse kanë edhe kërkesa tjera.

Kryetari i Këshillit Grevist, Ferid Neziri, përveç kërkesave të përmendura, ka kërkuar edhe punësimin e familjarëve të minatorëve të cilët tani duhet të pensionohen.

Reklama e sponzorizuar

“Kërkoj me na marr nga një fëmijë në punë, sepse me 70 euro çka me bë. Gjashtë fëmijë i kam, të gjithë janë me fakultet dhe asnjëri nuk është i punësuar”, ka thënë Neziri.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës (BSPK), Avni Hajdini, ka mbështetur grevistët, duke kërkuar zgjidhje sa më të shpejtë të problemit, në të kundërtën siç tha ai, situata mund të eskalojë. Sipas tij, premtimet e kryeministrit ndaj kërkesave të minatorëve që nga viti i kaluar kanë mbetur vetëm premtime boshe, ngase nuk është bërë asgjë deri tash. Ai ka bërë thirrje qeverisë që sa më parë të kontaktojë minatorët dhe me dialog të zgjidhet ky problem.

“Premtimet e kryeministrit nga viti i kaluar për kërkesat e minatorëve kanë mbetur vetëm premtime boshe. Këta punëtorë i kanë edhe 50 mijë anëtarë të BSPK-së përkrahës në kërkesat e tyre. I dërgoj mesazh qeverisë që të vijë sa më parë pranë minatorëve dhe me dialog të zgjidhet kjo çështje, derisa nuk ka eskaluar situata. Këta punëtorë janë të njëjtit të cilët më 1989 kanë ardhur këmbë në Prishtinë, prandaj për mos me u kriju sërish një situatë e tillë duhet që sa më parë të zgjidhet problemi”, theksoi Hajdini.