Kryetari i grupit parlamentar të Nismës Social Demokrate, Bilall Sherifi, ka komentuar propozimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli për pezullim të taksës për produktet serbe e boshnjake, duke thënë se kjo do ta kthente Qeverinë e Kosovës një hap prapa, shkruan Express.
Përmes Facebook-ut, Sherifi ka deklaruar se heqja e taksës do të inkurajojë Serbinë të vazhdojë agresionin e gjithanshëm mbi Kosovën.
“Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës mbi bazë të propozimit gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit, Kosova, përballë agresionit të vazhdueshëm të Serbisë, ka ndjekur rrugën e lëshimit pe, rrugën e ikjes nga ballafaqimi, duke mos i mbrojtur interesat e saj ashtu siç do t’i mbronte çdo shtet tjetër i pavarur dhe sovran”, ka shkruar ai.
Tutje, Sherifi shkroi se heqja e taksës çon në kthim në rrugën e vjetër, në rrugën e koncesioneve të vazhdueshme ndaj Serbisë, rrugë e cila është dëshmuar si e gabuar!
“Ndjekja e rrugës së vjetër sjell rezultatin e njëjtë. Madje, ajo rrugë vetëm sa do ta trimërojë Serbinë të vazhdojë me intensitet të shtuar agresionin e gjithanshëm mbi Kosovën!
Nëse do të më duhej të zgjidhja mes qortimit nga SHBA-të për shkak të mosheqjes së taksës 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, apo nënshtrimit ndaj Serbisë duke hequr taksën pa u hequr arsyet që kanë çuar në vënien e saj, pa u menduar fare do të zgjidhja të parën”, përfundoi ai.
Shefi i PDK-së, kryeparlamentari Kadri Veseli tha dje pas takimit me ambasadorin amerikan që taksa prej 100 për qind duhet të pezullohet për 100 ditë.