Një ditë pasi paralajmëroi privatizimin e Telekomit, kryeministri viziton Devollët

Kryeministri Ramush Haradinaj ka vizituar sot fabrikën e birrës “Peja”, në Pejë. Ai, në vizitë është shoqëruar nga pronari i kësaj birrarie Blerim Devolli. 

Devolli, është edhe pronar i “Z-Mobile”, Telefonisë e cila i ka shkaktuar telashe dhe humbje të mëdha Telekomit të Kosovës. 

Vizita ka ndodhur një ditë pasi Qeveria ka nisur procedurat për shitjen e Telekomit. 

Reklama e sponzorizuar

Haradinaj, në postimin e tij për vizitën në Birrën Peja, ka lartësuar këtë kompani.

“Birra Peja është brend gjysmëshekullor i Kosovës. Në një vizitë pune në këtë kompani u njoha për së afërmi me kapacitetet prodhuese, si dhe me parametrat e saj në tregun vendor dhe ndërkombëtar. Vendosmëria për ta avancuar shijen dhe kualitetin e saj është për admirim. Sot, falë kësaj pune kemi një produkt që ruan traditën familjare dhe vendit i sjellë miliona të hyra dhe rreth njëmijë të punësuar e të kontraktuar. Viti i Ekonomisë nisi për së mbari, me fillimin e projektit madhor të pavarësimit energjetik të vendit, si hyrje në etapën e një revolucioni të rritjes ekonomike. Përkrahja e Qeverisë për prodhuesit e mëdhenj, si Birra Peja, do të jetë e vazhdueshme në krijimin e kushteve dhe lehtësirave fiskale për zhvillimin dhe plasimin e produkteve të tyre”, ka shkruar Haradinaj.