Produktet serbe kanë filluar të zëvendësohen me ato të Shqipërisë e Maqedonisë

Që nga vendosja e tarifës doganore, fillimisht në 10 e më pas në 100 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, sipas vlerësimeve në Prishtinë, efektet janë të ndryshme, apo siç thuhet, pozitive dhe negative.

Tregu i mallrave në Kosovë, gradualisht po pëson ndryshime, ngase importet nga Serbia kanë rënë dukshëm, me çka po mundësohet që prodhimet nga ky vend të zëvendësohen me mallra nga Shqipëria, Maqedonia, por edhe nga shtimi i prodhimit vendor.

Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, importi i produkteve nga Serbia para vendosjes së taksës në ditë ka qenë rreth 1.2 milionë euro, derisa tani ky import ka rënë në vlerën prej rreth 600 mijë euro në ditë.

Reklama e sponzorizuar

“Që nga fillimi i zbatimit të këtyre taksave ne kemi pasur një rënie të madhe të importit të produkteve nga Serbia. Nëse flasim para zbatimit të taksës, ne kemi pasur realisht 120 deri në 140 maune brenda ditës nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, derisa tani ky import është gati zero”, thotë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës.

Stavileci bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se taksa 100 për qind nuk ka ndikuar në rënien e të hyrave për Doganën e Kosovës, pasi ka pasur rritje të importit të produkteve nga Shqipëria dhe Maqedonia.

“Pak a shumë ka filluar zëvendësimi i importeve nga vendet tjera të cilat kanë pasur rritje janë Shqipëria dhe Maqedonia. Importi i Shqipërisë është rritur me afër 40 për qind më shumë se vitin kaluar, kurse importi nga Maqedonia është rritur për 10 për qind”, thotë Stavileci.