Qeveria i liron nga taksa 100% mallrat në vlerë 2.2 milionë euro

Qeveria e Kosovës ka vendosur të martën që të heqë taksën 100 për qind për mallrat me origjinë nga Serbia dhe nga Bosnjë-Hercegovina që kishin hyrë në Kosovë, por që nuk i kishin të paguara taksat doganore në momentin kur ishte vendosur masa mbrojtëse për produktet me origjinë nga të dyja vendet, shkruan sot “Koha Ditore”.

Vlera e mallit të liruar është 2.189.041,95 euro.

Sikur taksa të mos iu hiqej, buxheti i shtetit do të mundë ta arkëtonte saktësisht këtë shumë. Por, me vendimin e ri, këto stoqe mallrash u nënshtrohen taksave të vjetra. Për pasojë, nga taksa do të përfitojë vetëm 470.746,88 euro.

Reklama e sponzorizuar

E dhëna është nxjerrë nga një raport i Doganës së Kosovës, i hartuar me kërkesë të Qeverisë. Dokumenti, të cilin e ka siguruar edhe “Koha Ditore”, tregon statusin e mallrave nën regjimin e depove doganore, përkatësisht mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina që janë vendosur në këtë regjim doganor pas vendosjes së masave mbrojtëse në import.