Serbia, dera e hapur e Kinës në Ballkan

Kina po luan një rol gjithnjë e më aktiv në Serbi, si pjesë e zgjerimit të saj në Europën Qendrore dhe Lindore

Pavarësisht interesit në rritje nga Pekini, marrëdhëniet e Kinës me Bashkimin Europian gjatë 2018 kanë hasur pengesa të shumta, një ndër të fundit ishte edhe shtrëngimi i Investimeve të Huaja Direkte nga Komisioni Europian. Në dhjetor, ekonomia më e fortë e Europës, Gjermania, e vështirësoi atë më shumë, nëpërmjet vendosjes së rregullave të reja kundër blerjeve të bizneseve teknologjike gjermane nga kompani të huaja, shkruajnë Philippe Le Corre dhe Vuk Vuksanovic për The Diplomat.

Ndërsa në rajonin e Ballkanit, pozicionimi i Kinës është krejt ndryshe. Një prej shteteve jo anëtare të BE-së, Serbia, pretendon se është një prej miqve më të mirë të Kinës në Europë. Pekini është angazhuar me një numër të madh projektesh në rajonin e Ballkanit, edhe pse një prej projekteve më të rëndësishme, hekurudha e shpejtësisë së lartë midis Beogradit dhe Budapestit, nuk ka përfunduar ende.
Qeveria serbe, e cila ka trokitur për vite me radhë në derën e BE-së por pa sukses, tani është drejtuar nga Kina duke e konsideruar këtë të fundit si një prej partnerëve më të rëndësishëm ekonomikë. “Nuk do të ishte aspak e gabuar që ne ta quajmë Serbinë, partnerin kryesor të Kinës në Europë”, tha ministrja e Ndërtimit, Zorana Mihajlovic.

Reklama e sponzorizuar

Teksa përpiqet të identifikojë mundësitë në këtë rajon plot me probleme, Pekini është më se i gatshëm të angazhohet ekonomikisht me Beogradin, i cili nuk i kundërshton “vendimet e udhëhequra nga shteti, me politizimin e investimeve, subvencioneve dhe vendimeve të kontratave, duke refuzuar dhe duke kundërshtuar në këtë mënyrë procedurat e hapura dhe transparente të modelit të BE-së. Që prej vitit 2017, të dyja shtetet kanë hequr vizat ndaj njëri-tjetrit dhe kanë rritur bashkëpunimin politik.

Tregtia midis Kinës dhe Serbisë u trefishua gjatë periudhës 2005-2016, në 1.6 miliardë dollarë, por marrëdhënia e këtyre shteteve me njëra-tjetrën është e pabalancuar. Kina eksporton 1 miliard dollarë mallra në Serbi, ndërsa Serbia eksporton 1 milion dollarë mallra në Kinë. Investimet kanë shënuar rritje, sepse qeveria e Beogradit është në gjendje të lëvizë shumë shpejt, duke qenë se ajo nuk është anëtare e BE-së.
Gjatë vizitës së Presidentit kinez Xi Jinping në Beograd në vitin 2016, Kryeministri serb i asokohe Vuçiç tha me bindje se Kina do të hapte shumë vende pune në Serbi, do të përmirësonte standardet e jetesës dhe do të nxiste rritjen ekonomike të vendit. Po atë vit, grupi HBIS, një kompani kineze në pronësi të shtetit, bleu uzinën e çelikut të Smederevës kundrejt vlerës 46 milionë euro (55 milionë dollarë).

Kjo uzinë hapi rreth 5,200 vende të reja pune në Smederevo, në një qytet prej 100,000 banorësh i cili ka qenë i varur nga puna e kësaj uzine për dekada të tëra. Pronari i mëparshëm i saj, U.S. Steel, në vitin 2012 ia shiti atë qeverisë serbe kundrejt një vlere simbolike 1 dollar amerikan. Ndërmarrjet kineze po ndërtojnë në mënyrë aktive pjesë të rëndësishme të infrastrukturës, për shembull, Ura Zemun-Borca, u ndërtua nga Korporata e Rrugëve dhe Urave të Kinës (CRBC), duke përdorur materiale kineze në 50% të ndërtimit. Edhe disa shtete të tjera të Ballkanit kanë përfituar nga “bujaria” e Pekinit.

Mali i Zi mori një hua 500 milionë dollarë nga Banka Exim e Kinës për pjesën e saj të autostradës, kurse Maqedonisë Veriore iu ofrua një hua prej 580 milionë dollarësh në 2013 për të ndihmuar në ndërtimin e autostradës së saj. Ndërkohë, grupi kinez, China Pacific Construction Group, një nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit të Kinës, ka filluar ndërtimin e një autostrade mes Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Në janar të 2018, Vuçiç, i cili tashmë ishte bërë Presidenti i Serbisë, i bëri thirrje Kinës për të investuar në minierën e bakrit, RTB Bor. Kjo u finalizua në gusht të vitit 2018, kur kompania kineze Zijin Mining mori 63% të aksioneve në RTB Bor. Kina ende nuk e ka blerë Ballkanin. Në fakt, fondet strukturore të BE-së në formën e granteve janë më të mëdha dhe më të lira se kreditë kineze, por politika dhe qeverisja e dobët nga ana e disa politikanëve lokalë luajnë rolin kryesor në favorizimin e Kinës.

Grantet e dhëna nga Brukseli shoqërohen shpeshherë me rregulla të padëshiruara nga elitat politike të Ballkanit. Burokracia e BE-së është e ngadaltë dhe ky është një prej problemeve kryesore kur qeveritë përpiqen të lëvizin shpejt për të fituar kapitalin zgjedhor dhe për këtë arsye, suksesi i modelit kinez “përputhet me ciklet politike lokale”. E megjithatë, në mënyrë ironike ndaj të gjithë situatës së përshkruar më sipër, vendet e Ballkanit ende shpresojnë që të jenë pjesë e BE-së në të ardhmen e afërt. Ndryshe nga Europa Qendrore, roli i Rusisë në rajonin e Ballkanit ka një rëndësi shumë të madhe.

Moska ka qenë një prej përkrahësve më të fortë të politikës serbe, veçanërisht kundrejt çështjes së Kosovës. Qëllimi kryesor i Moskës është ta mbajë Serbinë larg nga NATO-ja (ndryshe nga Mali i Zi, një vend i vogël prej 600,000 njerëzish, i cili u bë pjesë e NATO-s në 2017) dhe ndoshta edhe larg BE-së. Rusia dëshiron të mbetet furnizuesi më i madh i energjisë në Serbi. Lidershipi rus ka pasur ndikim shumë të madh në të gjitha qeveritë e Serbisë.

Në këtë rajon, bashkëpunimi midis Kinës dhe Rusisë nuk është i pamundur, siç sugjerohet edhe nga krijimi i një “këshilli të bashkëpunimit ekonomik me Rusinë dhe Kinën”, i kryesuar nga ish-presidenti Tomisllav Nikoliç, një aleat i të cilit Vuçiç e bindi të mos kandidonte për president në zgjedhjet e vitit 2017. Sipas një analisti serb, interesi në rritje i Kinës ndaj Serbisë është përshkruar si një formë “neokolonizimi”. Ndërsa Vuçiç shprehet ndryshe se “miqësia midis Kinës dhe Serbisë, është forcuar më shumë, për shkak të mbështetjes së Kinës ndaj Serbisë dhe qytetarëve të saj, në disa prej momenteve më të vështira të historisë së kombit tonë dhe ne i jemi mirënjohës këtij shteti që drejtohet nga Presidenti Xi Jinping”.
Situata e veçantë e Serbisë si një vend europian jashtë BE-së, me një të ardhme të pasigurt drejt anëtarësimit, ka bërë që Serbia të kërkojë mbështetjen e fuqive të tjera të mëdha.

Rusia është një prej tyre, por Kina po tregohet gjithnjë e më shumë aktive. Rritja e ndikimit të Kinës është një prej shqetësimeve më të mëdha të BE-së, duke përfshirë Berlinin, sepse këto të fundit mendojnë se Kina do të përdorë rajonin e Ballkanit për të hyrë në tregun e Europës, duke u përpjekur që të promovojë modelin e vet politik në vendet me qeverisje më të dobët, në krahasim me modelin e demokracisë liberale të BE-së.