Sipas propozimit të qeverisë, rroga e mësimdhënësve kosovarë do të arrijë në 515 euro

Eksperti i politikës publike, njëkohësisht edhe ligjeruesi i Ekonomisë Publike dhe Menaxhmentit Strategjik, Armend Muja përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka kritikuar kërkesën e arsimtarëve për rritje pagash.

Muja ka thënë se në bazë të propozimit të ri të Qeverisë, mesatarja e pagës në arsim parauniversitar do të arrijë në 515 euro, duke thënë se kështu mësimdhënësit në Kosovë do të paguheshin më mirë sesa në Shqipëri, Maqedoni dhe ngjashëm më Serbinë, përcjell Ballkani.info.

Ndërsa në anën tjetër, Muja ka theksuar se kërkesat e SBASHK-ut për ngritje 30% të pagave, nënkuptojnë pagesën mujore prej 550 euro.

Reklama e sponzorizuar

Kujtojmë se një ditë më parë, Muja përmes një statusi në Facebook kishte bërë disa krahasime ku sipas tij, kërkesat e mësimdhënësve nuk përkojnë me ato të mjekëve që tashmë janë në grevë.

(1) Mësimdhënësit në Kosovë punojnë rreth 525 orë në vit apo gjysma e normës së punës së punëtorëve tjerë në sektorin publik,

(2) Mësimdhënësit në rajon paguhen rreth 20-50 euro më shumë mirëpo ata punojnë rreth 750-800 orë krahasuar me rreth 525 në Kosovë,

(3) Rrogat e mësimdhënësve nuk duhet krahasuar me ato të mjekëve – kërkohen 3 vjet për t’u bërë mësimdhënës ndërkohë që kërkohen 8 për t’u bërë mjek, mjekët kryesisht nuk punojnë me gjysëm orari,

(4) Rrogat e mësimdhënësve janë rritur vazhdimisht por rezultatet e nxënësve jo, ka shkruar Muja. /Ballkani.info