Një muaj e gjysmë pas vendosjes së taksës doganore 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, tregu kosovar vazhdon mbetet mjaftueshëm i furnizuar me produkte esenciale. Aktualisht, në tregun kosovar mund të gjenden të gjitha mallrat, përfshirë edhe ato nga Serbia e Bosnja, edhe pse importi nga këto dy vende, sipas autoriteteve përgjegjëse në Prishtinë, tashmë është ndërprerë gati në tërësi.
Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, por edhe në Odën Ekonomike dhe organizatën “Konsumatori”, thonë se gjatë kësaj periudhe nuk është vërejtur mungesë e asnjë produkti bazë, por as produkteve tjera.
Megjithatë, vlerësimet e tyre dallojnë kur bëhet fjalë për arsyet për këtë stabilitet, marrë parasysh se Serbia, deri para 1 muaji e gjysmë, ishte eksportuesja më e madhe e mallrave në Kosovë.
Elhami Ismajli, zëdhënës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thotë se produktet nga Serbia dhe Bosnja, janë zëvendësuar menjëherë, pasi janë rritur shkëmbimet tregtare me vende të tjera dhe janë krijuar tregje të reja.
“Pas vendosjes së taksës, janë krijuar mundësi të reja për eksport dhe menjëherë janë zëvendësuar produktet, të cilat janë importuar nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Nga të dhënat statistikore shihet se pas vendosjes së taksës është rritur eksporti në drejtim të Gjermanisë, Italisë, Sllovenisë, Polonisë, Mbretëria e Bashkuar, Shqipërisë, Maqedonisë etj. Si tregje të reja janë identifikuar shtetet si: Libia, Islanda, Lituania, etj,” shpjegon Ismajli.
Duke mos mohuar ndikimin e stoqeve të bizneseve, edhe në Odën Ekonomike të Kosovës, stabilitetin e produkteve bazike në treg e lidhin me krijimin e tregjeve të reja.
I pari i këtij organi profesional, Berat Rukiqi, thekson se menjëherë pas vendimit për taksën, Oda Ekonomike u ka dalë në ndihmë bizneseve për të gjetur alternativa të furnizimit, sidomos për produktet esenciale.
“Normalisht, kompanitë kanë pasur edhe stoqe, por asnjë kompani nuk ka ndenjur duarkryq dhe të presë çfarë po ndodh me taksën. Shumica prej tyre janë përgatitur për një version më të gjatë të zbatimit të taksës, kështu që nuk e besoj që është vetëm për shkak të stoqeve,” thotë Rukiqi.
Por, ndryshe nga dy të parët, në organizatën “Konsumatori” këtë gjendje e lidhin më shumë me, siç thuhet, mbi-importin para vendosjes së taksës apo edhe me kontrabandën, sesa me blerjet nga tregjet e reja.
Kreu i kësaj organizate, Selatin Kaçaniku, hedh dyshime se biznese të caktuara kanë qenë të informuara për taksën, para vendosjes së saj dhe kanë bërë mbi-import.
“Momentalisht, nuk po vërejmë mungesë të ndonjë produkti nga lista esenciale e artikujve, ose nga lista e gjerë dhe kjo më bën edhe të dyshoj që mos informata ka rrjedhur para aplikimit të taksës dhe dikush ka arritur që në treg të fusë më shumë prodhime të importit sesa që ka nevojë tregu. Unë besoj më shumë në mbi-import dhe në kontrabandë. Nuk po shohim produkte të reja në dyqane, prandaj nuk mund të them që Qeveria dhe bizneset kanë gjetur tregje të reja,” vlerëson Kaçaniku.