Përfituesit më të mëdhenj me buxhetin e vitit 2019 janë punëtorët e sektorit të arsimit dhe punëtorët e sektorit të shëndetësisë.
Punëtorët e këtyre dy sektorëve do të përfitojnë së bashku rreth 534 milionë euro.
Arsimi me buxhetin 2019, përfiton 300 milionë euro, ndërsa shëndetësia përfiton 234 milionë euro për vitin 2019.
Kryeministri, Ramush Haradinaj, ka thënë se buxheti për këtë vit është më i madhi i miratuar ndonjë herë deri më tani.
“Buxheti 2 miliardë e 370 milionë euro, është buxheti më i madh dhe më zhvillimor i deritanishëm i Kosovës, që do t’i paraprijë rritjes ekonomike prej 4.7 për qind”, tha ai, shkruan Telegrafi.
Sipas kryeministrit investimet kapitale do të kenë rritje për 11 për qind.
“Investimet kapitale, sipas kryeministrit Haradinaj rriten për 11%, apo 75 milionë në raport me vitin 2018, duke mundësuar realizimin e shumë projekteve ekzistuese dhe të reja, si nxitje e madhe për zhvillim ekonomik dhe për sektorin privat dhe se janë akomoduar mjetet për rritjen e pensioneve bazike 20%, për ato kontributdhënëse 15%, si dhe pensionet mujore prej 230 euro për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës”, ka thënë kryeministri Haradinaj pas miratimit të buxhetit për vitin 2019.
Me buxhetin e vitit 2019 Qeveria e Kosovës ka përfshirë edhe ndikimet buxhetore nga Ligji për Pagat.
Ndryshe Buxheti 2019, prej mbi 2.3 miliardë euro është miratuar në orët e hershme të se dielës as një seance maratonike të Kuvendit të Kosovës.