Avion apo tren, me çfarë udhëtojnë më shumë kosovarët

Qytetarët e Kosovës, gjatë vitit të kaluar, kanë përdorur më shumë avionin si mjet transporti. Në bazë të të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) del se vetëm në tre muajt e vitit të kaluar, rreth 500 mijë qytetarë të Kosovës kanë shfrytëzuar avionin për të kryer punë.

“Sa i përket numrit të fluturimeve në tremujorin e katërt të vitit 2018, kemi pasur 1 862 fluturime ose 13.12% më shumë se në të njëjtin tremujor të vitit të kaluar”, thuhet në raportin e ASK.

“Kurse, numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar avionin si mjet transporti gjatë këtij tremujori ishte rreth 500 mijë, në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar, ku ka një rritje për 19.63 për qind”.

Reklama e sponzorizuar

Sa i përket shfrytëzimit të trenit, agjencia ka treguar se numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi ishte 33 mijë.

“Në tremujorin e katërt të vitit 2018, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi ishte 33 mijë. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar, numri i udhëtarëve është rritur për 31.68%”.

Në territorin e Kosovës janë gjithsej 333 km binarë hekurudhorë për transport.

Qytetarët e Kosovës e kanë përdorur trenin edhe si transportues të mallrave. Sipas ASK transporti i mallrave me tren në tremujorin e katërt ishte 213 mijë tonë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ku ka një rritje 11.19%.

Agjencia e Statistikave në raportin “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit”, nuk ka lënë pa përmendur edhe numrin e veturave që qarkullojnë rrugëve të Kosovës.

Siç njoftoi ASK në vitin 2018, në Kosovë janë të regjistruara 343 631 mjete motorike dhe jomotorike.

Kurse, sipas të dhënave të prezantuara, Kosova ka 2 074.7 km rrugë, ku në kategorinë e rrugëve autoudhë janë 6%, rrugë nacionale 31%, ndërsa 63% janë rrugë rajonale./Monitor.al/.