Korrupsioni i lartë, rrezikohen fondet nga programi MCC i SHBA-së

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë përmes një njoftimi për media në lidhje me vizitën që delegacioni i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA, bëri javën e kaluar në Kosovë, thekson se “Kosova duhet të vazhdojë të tregojë përparim kundër korrupsionit në mënyrë që të marrë financim dhe ndihmën e MCC-së.

Një delegacion nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-ve (MCC) javën e kaluar ka vizituar Kosovën për të diskutuar potencialin për përdorimin e një kompakt programi të MCC-së për të reduktuar varfërinë dhe për të promovuar rritjen ekonomike këtu. Bordi i Drejtorëve i MCC-së ka përzgjedhur Kosovën si të përshtatshme për një MCC kompakt program dhjetorin e kaluar. Kosova duhet të vazhdojë të tregojë përparim kundër korrupsionit në mënyrë që të marrë këtë financim dhe ndihmë.

Delegacioni, i udhëhequr nga zëvendëskryetarja e Departamentit për çështje kongresionale dhe marrëdhënie me publikun, Karen Sessions, u takua me zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës dhe me udhëheqës nga sektori privat. Ata diskutuan qasjen e MCC-së në luftën kundër varfërisë përmes rritjes ekonomike. Një faktor që frenon rritjen ekonomike është korrupsioni lidhur me të cilin rangimi global i Kosovës është i ulët. Kosova duhet të ripërzgjidhet nga Bordi i Drejtorëve të MCC-së çdo vit të zhvillimit kompakt, dhe do të vlerësohet përmes fletënotimit të MCC-së që përmban një vlerësim të përpjekjeve për reduktimin e korrupsionit.

Reklama e sponzorizuar

Momentalisht MCC është duke zbatuar për Kosovën Programin e Pragut të grantit të vogël, i cili përkrahë investimet në efikasitetin e energjisë dhe punësimin e femrave në sektorin e energjisë, si dhe shtimin e të dhënave publike për gjyqësinë, mjedisin, dhe fuqinë punëtore.

Me 20 shkurt 2019 zëvendëskryetarja Sessions ndihmoi në nisjen e projektit “Gratë në Energji” që është pjesë e Programit të Pragut të MCC-së për Kosovën. Ky projekt mbështetë mundësitë për pjesëmarrjen e femrave si të punësuara dhe si ndërmarrëse në këtë sektor gjersa i rritë mundësitë ekonomike për femrat dhe përkrahë një program të bursave. Momentalisht zbatohet nga Fondaconi i Mijëvjeçarit i Kosovës dhe do të vazhdojë deri në vitin 2021, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA në Prishtinë, në lidhje me vizitën e delegacionit të MCC-së në Kosovë.