Në mbledhjen e Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e Financave Publike është thënë se janë gjetur një sërë shkeljesh në raportin e Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Zyrës së Kryeministrit. Gjatë shqyrtimit të këtij raporti u tha se bëhet fjalë për keqpërdorime në kategori të ndryshme.
Driton Selmanaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili është kryetar i këtij Komisionit, ka përmendur edhe punësimet në Agjencinë e Veterinës pa respektuar rregullat e rekrutimit.
“Në këtë raport ne kemi pa keqpërdorime në kategori të ndryshme, keqpërdorim të mjeteve. Pastaj ka punësime në Agjencinë e Veterinës pa respektuar rregullat e rekrutimit. Pastaj, raportimi i dobët për subvencione. Mosrespektimi i marrëveshjes në komuna të ndryshme. Çështje tjetër janë pagesat e dyfishta për fermerët në rastet e sëmundjes gungore të kafshëve”, u shpreh Selmanaj.
Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, Fitim Krasniqi tha se e kanë parë raportin dhe se do të ndërmarrin masa.
“Zyra e Kryeministrit përbëhet nga shumë agjencione të cilat kanë pavarësi të financave. Pas miratimit të planit të veprimit, ne i kemi adresuar te komisioni. Lidhur me raportin, çka ka të bëjë direkt më Zyrën e Kryeministrit, ne kemi dy rekomandime dhe ka qenë edhe një gabim teknik”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, në këtë mbledhje të Komisionit për mbikëqyrje të Financave Publike, ishte i ftuar edhe kryeministri Ramush Haradinaj për të raportuar lidhur me 500 mijë euro të ndara për shpenzime me rastin e festës së 11-vjetorit të pavarësisë, por i njëjti nuk ka marrë pjesë në këtë mbledhje.