Lëvizja Vetëvendosje mbajti konferencën për media në Pejë mbi ndërtimin e HEC-eve në Lumbardh.
Në konferencë folën nënkryetarja Fatmire Mullhaxha-Kollçaku dhe anëtari i Kryesisë në Pejë, Taulant Kelmendi.
“Komisioni ndërministror për investime strategjike ka riaktualizuar projektin për ndërtimin e HEC-eve në Lumbardh. Një projekt i cili nuk i plotëson kushtet mjedisore dhe është shkatërrues për ambientin tashmë cilësohet si investim strategjik. Ky vendim është marrë në kundërshtim me planin zhvillimor komunal, i cili i ndalon ndërtimet e HEC-eve në zonë, pikërisht nga degradimi që ka ndodhur në komunën e Deçanit nga i njëjti investitor. Më parë, edhe Ministria e Ambientit e ka dekurajuar ndërtimin në këtë zonë”, është thënë në konferencën e LVV-së.
Tutje, thuhet se projekti ka filluar në 18 tetor 2013 në një marrëveshje mes komunës dhe kompanisë Kelpkos për ndërtimin e pesë hidrocentraleve në fshatrat e Rugovës për rreth 120 milion euro. Ndërsa vetë kompania në regjistrimin e saj figuron me vetëm një punëtor dhe një mijë euro kapital. Plani zhvillimor komunal e ka ndaluar projektin deri në vitin 2016 kur zyra e rregullatorit të energjisë ka pranuar kërkesën e kompanisë për gjenerimin e energjisë.
“Synimi i kompanisë dhe i bashkëpunëtorëve të tyre në institucionet përkatëse publike është që projekti të kalojë heshturazi, pa kundërshti dhe pa njoftimin e qytetarëve. Këtë gjë nuk po e lejojnë qytetarët e Pejës të cilët ditën e nesërme organizojnë një protestë kundër këtij projekti. Ne jemi për energji alternative, por jo në kurriz të shkatërrimit të natyrës. Prandaj, Lëvizja Vetëvendosje e mbështet protestën e qytetarëve të Pejës, i bashkohet asaj dhe i bën thirrje të gjithë qytetarëve të Pejës që të bëhemi bashkë kundër shkatërrimit të Lumbardhit dhe bukurive natyrore të Pejës. I bëjmë thirrje institucioneve përkatëse nga ministria deri te inspektorati mjedisor që të pezullojnë çdo aktivitet të lidhur me avancimin e këtij projekti”, kanë thënë eksponentët e LVV-së.