Pa u bërë një muaj nga miratimi i buxhetit për këtë vit, Qeveria e Kosovës ka filluar të shpenzojë mjete nga rezervat buxhetore.
Nga 4 milionë e 800 mijë euro sa janë ndarë si rezerva shtetërore, në bazë të Ligjit vjetor të buxhetit për këtë vit, vetëm për dy muajt e parë janë shpenzuar rreth 1.4 milion euro, thotë një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave në Qeverinë e Kosovës.
Nga kjo shumë, “Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro për realizimin e aktiviteteve të shënimit të 11-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 300 mijë euro për Delegacionin shtetëror të Kosovës për procesin e dialogut, 143 mijë euro mbështetje për ekipin olimpik të Xhudos “Ippon” në Pejë, 112 mijë euro për rregullimin e këndit të fëmijëve dhe Parkut të Paqes në Preshevë, kurse mjetet tjera në vlera më të vogla janë ndarë për klubin e prodhueseve, renovim të shkollave e të tjera”, thuhet në përgjigje.
Në bazë të ligjit, shpenzimet e paparashikuara apo rezervat shtetërore mund të shpenzohen vetëm në raste urgjente dhe të paparashikuara.
Organizatat përkatëse buxhetore mund të aplikojë në Ministri për fonde shtesë, por që në aplikacion duhet të shpjegojnë arsyen pse këto fonde nuk kanë mundur të parashikohen.
Anëtar të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në Kuvendin e Kosovës dhe ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se shpenzimi i mjeteve nga fondi rezervë është papërgjegjësi dhe keqpërdorim i parasë publike nga ekzekutivi.