Qeveria: Në tregun e Kosovës nuk gjenden mallra të “kamufluara” nga Serbia

Në tregun e Kosovës nuk ka mallra të “kamufluara” nga Serbia, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Këto deklarata vijnë disa ditë pasi që ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimit në Qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiq, tha se se mallrat nga Serbia mund të hasen në gjithë Kosovën dhe se ato po arrijnë atje përmes rrugëve alternative, kryesisht përmes Kroacisë dhe Maqedonisë.

Në Kosovë ka tre muaj që kur Qeveria ka vendosur taksën doganore 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Nga ajo kohë, importi nga këto vende ka rënë tërësisht, edhe pse në treg ende nuk vërehet ndonjë mungesë e theksuar e produkteve nga Serbia.

Reklama e sponzorizuar

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala, ka konfirmuar se në tregun vendor nuk ka produkte të Serbisë që mund të konsiderohen si mall i kontrabanduar apo mall që nuk ka kaluar të gjitha procedurat e rregullta doganore.

“Tek deklarata e ministrit serb Lajiq se në Kosovë po futet mall i ri-eksportuar, them se edhe Dogana edhe Ministria e Tregtisë janë duke monitoruar dhe vëzhguar secilin mall që futet në Kosovë për të vërtetuar se mos ky mall është duke u ri-eksportuar, që nënkupton mos është duke shkuar nga Serbia në Maqedoni të ripaketohet, pastaj ai mall të futet në tregun e Republikës së Kosovës.