Në vitin 2017, Ministria e Infrastrukturës nënshkroi kontratë në vlerë 33.6 milionë euro me kompaninë turke Limak për Zgjatjen e Pistës së Aeroportit. Por në këtë kontratë u përfshi edhe ndërtimi i zonës së sigurisë së pistës e njohur si RESA. Ky investim (RESA) që tash do të bëhet me paratë e taksapaguesve kosovarë, me kontratën bazë, parashihej që të kryhej nga kompania Limak.
Shkruan: Agon Sinanaj
Bazuar në Kontratën për Koncesionim të Aeroportit, kompania turke Limak obligohej që ta ndërtojë zonën e sigurisë në të dy anet e pistës së Aeroportit, e njohur si RESA. Por sot e kësaj dite ky investim nuk është kryer nga ana e koncesionarit.
Këtë investim që i takonte Limak-ut, Qeveria e Kosovës e mori përsipër ta kryej vetë përmes një kontrate të arritur në mënyrë të dyshimtë me kompaninë Limak, në gusht të vitit 2017, një muaj para se vendi të shkonte në zgjedhje.
E njohur si kontrata për “Zgjatjen e Pistës së Aeroportit”, ka vlerë 33.6 milionë euro dhe përveç ndërtimit të zonës së sigurisë RESA, ka për qëllim edhe zgjatjen e pistës së Aeroportit, shkruan Buletini Ekonomik.
Buletini Ekonomik ka siguruar një kopje të kësaj kontrate, ku shpalosen në detaje të gjitha obligimet që ka marrë Qeveria e Kosovës për përmbushjen e këtij investimi prej 33.6 milionë euro me paratë e taksapaguesve kosovarë.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Limak Kosovo Airport J.S.C janë pajtuar për të përmbyllur një kontratë publike për punë si me poshtë: “Zgjatjen e pistës, ngritjes së sistemit instrumental të aterrimit dhe sistemit të radiokomunikimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari”, thuhet në hyrje të kontratës.
Përfshirja në këtë kontratë e një investimi që do të duhej ta kryente koncesionari është evidentuar edhe në raportin e publikuar së fundi “Shqyrtimi i kontratës për zgjatjen e pistës së Aeroportit Adem Jashari” me autor Hekuran Muratin.
“Ngritja e kësaj zone të sigurisë me Kontratën e Koncesionimit i takon Koncesionarit, mirëpo një gjë e tillë nuk është përfunduar asnjëherë. Për më tepër, tani edhe kompletimi I RESA-s është përfshirë në kontratën për zgjatjen e pistës, dhe ajo çka është dashur të kryhet nga Koncesionari, tani do të bëhet me para publike”, thuhet në raport.
Ndonëse bëhet fjalë për një investim publik, i gjithë procesi deri të nënshkrimi i kësaj kontrate është zhvilluar në mënyrë krejtësisht jo transparente. Përveç që u mbajt sekret në kohën e nënshkrimit, kontrata nuk është publikuar as sot e kësaj dite nga Ministria Infrastrukturës e cila është palë nënshkruese e saj.
Buletini Ekonomik i ka pritur më shumë se dy muaj zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ministrisë së Financave për t’i dhënë sqarimet e nevojshme për publikun. Përkundër insistimit të gazetës, të dyja këto institucione kanë zgjedhur të heshtin.
Njëra nga pyetjet dërguar atyre ka qenë edhe ajo për ndërtimin e zonës së sigurisë RESA, e cila në bazë të kontratës bazë është dashur të kryhet nga koncesionari.
“A mund të na sqaroni se pse e keni futur në kontratën për zgjatjen e pistës edhe ndërtimin e zonës së sigurisë RESA, meqë kjo punë është dashur të kryhet nga Koncesionari, në bazë të kontratës bazë?”, është pyetja së cilës nuk kanë pranuar t’i përgjigjen këto institucione.
Ndërkaq, kontrata e arritur me Limakun ka për qëllim zgjatjen e pistës së Aeroportit për 500 metra, si dhe blerjen e disa pajisjeve tjera që nevojiten për ngritje të sistemit të aterrimit dhe radiokomunikimit.
Kontrata për Zgjatjen e Pistës pa procedura tenderuese
Për me tepër, kontrata për kyerjen e punëve i është dhënë Koncesionarit të ANP-së, kompanisë Limak Kosovo International JSC, pa zhvilluar fare procedurë tënderuese, por duke përdorur negociatat direkte pa publikim të kontratës.
“Kontrata për kryerjen e punëve i është dhënë Koncesionarit të ANP-së, kompanisë Limak Kosovo Internation- al JSC, pa zhvilluar procedurë tenderimi, por duke përdorur negociatat direkte pa publikim të kontratës. Arsyetimi për këtë veprim është se në Kontratën e Koncesionimit ka klauzola të cilat i japin të drejta ekskluzive Koncesionarit, dhe si pasojë çfarëdo pune që kryhet brenda hapësirave të ANP duhet t’i ipet vetëm Koncesionarit”, konstaton analiza “Shqyrtimi i kontratës për zgjatjen e pistës së Aeroportit Adem Jashari”.
Murati në analizën e tij vlerëson se “fakti që një kontratë me vlerë rreth 34 milionë euro është nënshkruar gjatë kohës sa qeveria ka qenë në dorëheqje, dhe e tëra është bërë në mënyrë jo-transparente pa tender, lë hapësirë për të dyshuar që kjo kontratë mund të ketë elemente të keqpërdorimit të parasë publike”.
Sipas kësaj analize, nëse shikohet si tërësi, vërehet se i tërë ky proces ka qenë në shërbim të shpërblimit të Koncesionarit me këtë kontratë.
“Me fjalë tjera, përfituesi i kontratës është ditur që në fillim, ndërsa procesi ka zgjatur derisa MI ka gjetur mënyrën më të përshtatshme që kryerjen e punëve të këtij projekti t’ia japë Koncesionarit ekzistues të ANP”.
Zgjatja e Pistës nuk ishte përfshirë si punë obligative e koncesionarit
Në vitin 2010, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës i ishte dhënë nën menaxhim kompanisë turke Limak, përmes Partneritetit Publiko-Privat. Vlera e kontratës është 100 milionë euro dhe koncesionari, në këtë rast kompania turke Limak, obligohej që të kyente një serë investimesh në Aeroport.
Megjithatë në mesin e punëve që duhej të kryheshin nuk ishte paraparë edhe zgjatja e pistës, si punë obligative. Kjo për hartuesin e analizës deri më tani të vetme mbi këtë kontratë, përbën dyshim në vetvete.
“Duhet të shtrohet pyetja se nëse zgjatja e pistës ka qenë e domosdoshme, pse kjo nuk është përfshirë në kuadër të punëve obligative në Kontratë të Koncesionimit. Një gjë të tillë e ka bërë Republika e Maqedonisë, ku njëri nga kriteret për dhënien me koncesion të Aeroportit të Shkupit ka qenë zgjatja e pistës nga 2,500m në 3,000m, pra për 500m, aq sa kërkohet edhe tani të zgjatet pista e ANP me këtë projekt”, ka ngritur Murati shqetësimin në analizën e tij.
Në analizë thuhet se ideja fillestare ishte që zgjatja e pistës të përfshihej si punë shtesë e investitorit, por kjo nuk ndodhi asnjëherë.
Nga ajo që shihet në preambulë të kontratës, por edhe nisur nga fakti që kërkesa është dorëzuar tek Komiteti për Partneritet Publiko-Privat që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave, vërehet se fillimisht është menduar që projekti për zgjatjen e pistës t’i ipej Koncesionarit si punë shtesë në kuadër të Kontratës për Koncesionim.
Por kjo alternativë, sipas analizës “Shqyrtimi i kontratës për zgjatjen e pistës së Aeroportit”, paraqiste problem për shkak të kufizimit të punëve shtesë në maksimumi 10% të vlerës së kontratës bazë.
Vlera e kontratës bazë, në këtë rast Kontrata e Koncesionimit, me rastin e nënshkrimit ishte vlerësuar të jetë 100 milionë euro. Kurse shuma e projektit që po tentohej të zbatohej në kuadër të punëve shtesë ishte 33.6 milionë euro, pra dukshëm më e lartë sesa 10%-shi i lejuar me ligj.
“Si rezultat i kësaj, MI ka vendosur që kontraktimin e punëve në vlerë prej 33.6 milionë eurosh, t’a bëjnë përmes procedurës së negociimit, pa publikim të kontratës”, vlerëson analiza. /Buletini Ekonomik/